Mungesa e fuqisë punëtore në Shqipëri, rrit pagat në bujqësi

Bujqësia ende është sektori me produktivitetin më të ulët në ekonomi, por mungesa e fuqisë punëtore rriti me shpejtësi pagat në këtë sektor gjatë vitit 2022.

Në tremujorin e tretë të vitit 2022 paga mesatare për një punonjës në sektorin e bujqësie dhe të peshkimit arriti në 41,205 lekë me rritje vjetore 15.5 %. Ritmet e rritjes ishin nga më të lartat edhe për shkak të bazës së ulët qe kanë pagat në ketë sektor në raport me të tjerët.

Kjo rritje ngushtoi diferencën me pagën mesatare në vend. Në tremujorin e tretë 2022 diferenca ndërmjet pagës mesatare në bujqësi dhe pagës mesatare në ekonomi ishte 33%, nga 37 për qind që ishte vjet në të njëjtën periudhe të vitit të kaluar.

Reklama e sponzorizuar

Në bujqësi paga ofrohet me bazë ditore për shkak të natyrës sezonale të punës. Deri vitin e kaluar një punonjës në këtë sektor paguhej me 1500 lekë në ditë, por këtë vit pagesat shkuan 2000 lekë në zonat e Lushnjës, Fierit ku zhvillohet bujqësia intensive me sera.

Vitin e ardhshëm bujqit lajmërojnë se presionet për paga më të larta do të jenë në rritje, teksa kërkesa për furnizime me perime nga Shqipëria është rritur dukshëm vitet e fundit.

Emigracioni së fundmi është përhapur edhe në qendrat e mëdha urbanë, por në zonat rurale ka qenë konsistent në vijimësi. Krahu i punës në zonat rurale tashmë është bërë një sfidë për bizneset bujqësore, që po detyrohen të paguajnë më shumë për punonjës që banojnë larg vendeve të punës.

Në Shqipëri gati gjysma e të punësuarve punojnë pa pagë në biznesin e familjes dhe këto janë të përnderuara në bizneset bujqësore.

Por një kategori e madhe që punojnë në bujqësi marrin paga më të ulëta se kufijtë e varfërisë.

Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) në publikimin për pagat në nivelin e varfërisë verifikoi se, në vitin 2021, gjithsej 19 për qind e të punësuarve në Shqipëri paguheshin më pak se 5.5 USD në ditë ose rreth 130 dollarë në muaj.

Zakonisht kategoritë e punonjësve në varfëri punojnë në sektorët e bujqësisë dhe shërbimeve. Puna e tyre është e përqendruar në sezone dhe me paga shumë të ulëta.

Teksa varfëria në botën e zhvilluar shpesh shoqërohet me papunësinë, varfëria ekstreme që ekziston në pjesën më të madhe të botës në zhvillim është kryesisht një problem i personave të punësuar në këto shoqëri. Për këta punëtorë të varfër, problemi është zakonisht ai i cilësisë së punësimit. Fatkeqësisht ky fenomen është i përhapur edhe në Shqipëri. /Monitor.al/

Burimi: INSTAT