Skjarime nga Ministri i Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi, për gjitha pyetjet dhe shqetësimet e qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë në lidhje me pakon emergjente të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Pas publikimi të pakos emergjente të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndihmesë në përballjen me pasojat e pandemisë COVID 19, kam pranuar një sërë pyetjesh dhe shqetësimesh që kryesisht adresojnë problemet e ndërlidhura me disa kategori.
Me synim që sado pak të kontribuoj në zvogëlimin e paqartësive dhe njëkohësisht qetësimin e qytetarëve, më lejoni të shpjegoj sa vijon:
▶️ SKJARIMI 1
PYETJA:
- Cila është zgjidhja e ofruar për punëtorët që punojnë pa kontrata punë?
SKJARIMI:
- Ne jemi të vetëdijshëm që një pjesë e punëmarrësve janë duke punuar pa kontrata. Ky lloj i angazhimit merr dy forma: ose punëtorët punojnë pa kontrata të vlefshme, por punëdhënësi i paguan rregullisht kontributet pensionale dhe obligimet tatimore; ose punëtorët angazhohen komplet në “të zezë”. Në rastin e parë mungesa e kontratës është gjithsesi problematike dhe ka nevojë të adresohet, POR kjo nuk ka efekt për pakon e masave emergjente. Kjo nënkupton, që për ne, në këtë fazë, mjafton informacioni që punëdhënësi i ka paguar kontributet pensionale dhe obligimet tatimore, andaj këta punëmarrës përfitojnë nga pakoja në të gjitha ato rastet kur punëdhënësi argumenton vështirësi financiare si pasojë e masave të qeverisë (pika 1.3.1 e pakos).
Për ata të cilët kanë punuar në “të zezën”, qeveria ka hapur një dritare që u mundëson punëdhënësve të fusin këta punëtorë në listat e tyre të pagave për muajin mars, dhe t’i pajisin me kontrata një vjeçare. Pastaj me efekt të menjëhershëm, këta punëtorë bëhen pjesë e përfitimeve nga pakoja (pika 1.14 e pakos). Në rast se nuk ndodh kjo, qeveria inkurajon punëmarrësit që të raportojnë statusin e tyre në administratën tatimore të Kosovës. Nëse punëdhënësit preferojnë të rrezikojnë edhe më tej operimin “në të zezën” dhe të ballafaqohen me konsekuencat ligjore përkatëse, atëherë punëmarrësit e prekur në raste të caktuara mund të përfitojnë nga pika 1.15 e pakos (shiko shpjegimin numër 3).
▶️ SKJARIMI 2
PYETJA:
- Cila është zgjidhja e ofruar për punëtorët që kanë humbur vendin e punës si pasojë e masave të qeverisë?
SKJARIMI:
- Nëse ka punëtorë të cilët e kanë humbur vendin e punës pas shpalljes së masave të Qeverisë së Republikës së Kosovës në mesin e marsit 2020, atëherë këta punëtorë përfitojnë nga masa e tetë e pakos emergjente në shumën e 130 euro për tre muajt e ardhshëm (gjithnjë nën supozimin se në ndërkohë nuk krijojnë marrëdhënie të re të punës). Ministria e Financave dhe Transfereve do të del shumë shpejt me elaborimin e procedurave (shumë të thjeshtësuara) për aplikim.
Qeveria inkurajon punëdhënësit që sa herë të jenë në gjendje, të ruajnë fuqinë e tyre punëtore, meqë në afat të mesëm kjo u levërdisë edhe vetë bizneseve.
Gjithashtu duhet skjaruar që kjo masë i dedikohet vetëm atyre që vendin e punës e kanë humbur si rezultat i vështirësive në përballimin me pandeminë e jo si rezultat i problemeve tjera me punëdhënësin apo si rezultat i përfundimit të kontratave ekzistuese të punësimit. Në rast se punëtorët e larguar kanë qenë duke punuar pa kontrata pune, atëherë opsioni i vetëm mbetet mundësia e përfitimit nga masa numër 15 e pakos emergjente (Shiko skjarimin 3).
▶️ SKJARIMI 3
PYETJA:
- Cila është zgjidhja e ofruar për punëtorët që kanë punuar në baza ditore (ose nuk kanë asnjë familjarë që siguron të ardhura)?
SKJARIMI:
- Kjo masë përpiqet të mbulojë atë pjesë të familjeve që burim të vetëm të të ardhurave kanë punët e përkohshme ose angazhimet në punë kujdestarie apo mirëmbajtjeje nëpër familje private. Të gjithë këto familje mund të përfitojnë nga masa e 15 e pakos emergjente të qeverisë (130 euro për tre muajt në vijim), në rast se dokumentojnë që këto të ardhura janë burimi i vetëm i të hyrave të familjes. Kjo nënkupton që aplikuesit, kur të dorëzojnë certifikatën familjare duhet të dëshmojnë që asnjë anëtarë i tyre nuk është në marrëdhënie të rregulltë pune dhe poashtu nuk janë pjesë e asnjërës nga skemat sociale e pensionale të sektorit publik. Verifikimi bëhet përmes databazës së administratës tatimore të Kosovës dhe departamentit të Thesarit në Ministrinë e Financave dhe Transfereve.
Është shumë me rëndësi që qytetarët të kuptojnë që deri në publikimin e hapave që duhet të ndërmerren për aplikim (aplikim i thjeshtëzuar dhe nëse teknikisht e mundur do të bëhet online), ata nuk kanë nevojë të ndërmarrin asnjë veprim apo vizitë në institucione për t’u lajmëruar.
▶️ SKJARIMI 4
PYETJA:
- A janë të përfshira organizatat joqeveritare si dhe bashkësitë fetare në pakon e masave emergjente?
SKJARIMI:
- Secili punëdhënës i cili ka staf me kontrata pune dhe kalon nëpër vështirësi si rezultat i masave që ka ndërmarrë Qeveria e Republikës së Kosovës, mund të përfitojë nga masat e pakos emergjente. Kjo vlen edhe për OJQ-të (Organizatat Joqeveritare). Kjo vlen për ato organizata apo bashkësi që kanë përjetuar ulje të të hyrave të tyre si pasojë e kufizimeve të vendosura nga qeveria, POR nuk mund të vlejë për ato OJQ që funksionojnë në bazë të projekteve të financuara nga donatorë, financime këto që nuk janë prekur nga masat apo vendimet e qeverisë.
▶️ SKJARIMI 5
PYETJA:
- A janë të përfshira mediat në pakon e masave emergjente të Qeverisë së Republikës së Kosovës?
SKJARIMI:
- Masat e pakos emergjente i dedikohen çdo punëmarrësi dhe nuk janë të specializuara për një sektorë të veçantë. Rrjedhimisht të gjitha mediat trajtohen si biznese dhe mund të përfitojnë nga masat e qeverisë (masa 3, 10, apo 14)
BESNIK BISLIMI
Ministër i Financave dhe Transfereve