Policia suspendon dy zyrtarë, IPK-ja nis hetimet

Dy zyrtarë policorë janë suspenduar të martën nga drejtori i përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj, pasi në fundjavë janë parë teksa kanë shkelur masën e kufizimit të lëvizjes dhe janë shoqëruar me një person me dosje penale – Blerim Potera.

Siç ka raportuar KOHA, me ta ishte edhe vëllai i presidentit Hashim Thaçi dhe vëllai i ish-deputetit të PDK-së, Rrustem Mustafa.

Fillimisht Policia e Kosovës i ka suspenduar dy zyrtarët për 48 orë. Njëri nga ta është komandanti i Njësisë Speciale, Amir Gërguri. Këtë e ka konfirmuar për KOHËN, drejtori i përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj dhe rastin tha se e ka përcjell në Inspektoratin Policor të Kosovës, i cili më pas ka dalë edhe me një komunikatë.

Reklama e sponzorizuar

“Inspektorati Policor i Kosovës pas publikimit të këtij lajmi në media ka filluar grumbullimin e informacioneve si dhe është në kontakt edhe me Policinë e Kosovës. Veprimet tjera priten të ndërmerren varësisht nga të gjeturat nga informacionet e grumbulluara dhe të analizuara dhe në përputhje me misionin ligjor të Inspektoratit Policor të Kosovës”, thuhet në komunikatën e IPK-së të martën.