Qeveria nuk mund ta zbatojë në tërësi pakon emergjente pa miratim nga Kuvendi

Pakoja emergjente fiskale e miratuar ditë më parë nga Qeveria në detyrë, nuk mund të zbatohet në tërësi pa marrë disa aprovime nga ana e Kuvendit.

Për implementimin e saj Qeveria duhet të kërkojë aprovim nga Kuvendi për tejkalim të kufizimeve që vijnë nga Ligji për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësive (LMFPP), shkruan KOHA.

Përveç lejimit të rritjes së përkohshme të kufirit të deficitit buxhetor, Qeveria duhet që të kërkojë nga Kuvendi ndryshimin e nivelit minimal të bilancit bankar, si dhe aprovimin që Qeveria të nënshkruajë kredimarrjen para miratimit të vendimit nga Kuvendi.

Reklama e sponzorizuar

Sipas zëvendësministrit të Financave, Agim Krasniqi, disa nga masat mund të implementohen pa marrë miratimin nga ana e Kuvendit. Por, ai nuk ka sqaruar saktësisht se cila nga 13 masat e prezantuara në pako do të mund të implementohet pa një aprovim të tillë.