Bordi i përkohshëm i drejtorëve të ndërmarrjes publike qendrore “Hekurudhat e Kosovës – Infrakos”, ka shkarkuar sot kryeshefin ekzekutiv Agron Thaçi, kanë bërë të ditur burime të KOHËS.
Thaçi më herët ishte suspenduar po nga ky bord.
Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, në fund të shkurtit kur kishte propozuar shkarkimin e Bordit të vjetër, kishte akuzuar Thaçin për veprën penale: “Keqpërdorim i pozitës“.
“Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj kryeshefit ekzekutiv Agron Thaçit për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, prandaj ne kërkojmë shkarkimin e Bordit. Ligji i punës e lejon pezullimin kur fillojnë procedurat penale ndaj tij”, kishte thënë Hajdari.
Me ardhjen e Bordit të përkohshëm, Thaçi ishte suspenduar, e sot kur janë shkarkuar edhe drejtues tjerë të ndërmarrjeve publike, është përfshirë edhe ai i Infrakosit.