Ndërmarrja publike, Telekomi i Kosovës, e ka përmbyllur vitin 2020 me gjithsej 16 milionë e 583 mijë euro humbje në operimet e saja.
Kjo ndërmarrje ka vazhduar trendin e operimit me humbje për 6 vite me radhë, ku humbjet e akumuluara për këto vite arrijnë shifrën e 78 milionë e 291 eurove. Gjatë vitit 2019, humbjet operative në këtë ndërrmarje ishin edhe më të larta sesa më 2020, me 26 milionë e 916 mijë eurove, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas raportit të auditimit brenda kësaj ndërmarrjeje nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), detyrimet rrjedhëse të Telekomit tashmë tejkalojnë edhe pasuritë aktuale të ndërmarrjes për shumën e 64 milionë e 89 mijë eurove.
“Kompania ka pësuar humbje për vitin që përfundon me 31 dhjetor 2020 në vlerë prej 16,583,000€. (2019: 26,916,000€) Kompania e ka vazhduar trendin e operimit me humbje për 6 vite me radhë dhe humbjet e akumuluara deri me 31 dhjetor 2020 janë në vlerë 78,291,000€. Përveç kësaj me 31 dhjetor 2020 detyrimet rrjedhëse tejkalojnë pasuritë aktuale për shumën prej 64,089,000€ (2019: 61,708,000€). Për më tepër, ende nuk është paguar dividenta e deklaruar në vitin 2015 në vlerë prej 15,000,000€”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Siç shihet nga konstatimet e ZKA-së, Telekomi i Kosovës kishte pasur një vit mjaft të vështirë, pasi sikur të mos mjaftonin humbjet operative shumëvjeçare, në vitin 2020 i ishin bllokuar edhe llogaritë bankare për shkak të borxhit ndaj ish kompanisë Dardafon, me të cilën kishte marrëveshje vite më parë.
Ish-MVNO Dardafon, përmes përmbaruesit privat më 15 korrik 2020 kishte filluar përmbarimin duke bllokuar llogaritë e kompanisë dhe ekzekutuar një pjesë të borxhit, rreth 3.3 milion euro. Pas dy javësh kreditori kishte zhbllokuar përkohësisht llogaritë për t’i bllokuar sërish në tetor 2020 pas dështimit të arritjes së një marrëveshje të re mes palëve për planin e pagesave të borxhit.
Ndërkohë, më datë 17 nëntor 2020 palët kishin arritur marrëveshje për pagesën e borxhit në procedurën e përmbarimit, dhe borxhi i mbetur sipas kësaj marrëveshje është 17 milionë e 281 mijë e 142 euro, e i cili do të paguhet në 24 këste mujore.
Kësti për një muaj do të jetë 720 mijë e 48 euro, përfshirë edhe 7% kamatë vjetore dhe shpenzimet e përmbarimit.
ZKA-ja vlerëson se kësti i lartë i këtij borxhi ka rënduar dhe do të vazhdojë ta rëndojë edhe më tej gjendjen e vështirë financiare të kompanisë, ku rrjedha neto e parasë vazhdon të jetë negative edhe për vitin 2021. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/











