Pasqyra ekonomike globale e FMN-së për pranverën sinjalizon se ekonomia e Shqipërisë do të jetë në recesion këtë vit, me një rënie të prodhimit ekonomik me 5% krahasuar me vitin paraardhës.
Projeksionet e zymta të ekonomisë shqiptare këtë vit marrin shtysë kryesisht nga goditja që ka marrë sektori i turizmit. Megjithatë, ministri i Turizmit i Shqipërisë, Blendi Klosi, është optimist që ky sektor mund të shndërrohet në varkën shpëtuese të ekonomisë shqiptare në periudhën post-pandemi. Ai thotë se në qershor do të hapet sezoni turistik, ku mbështetja kryesore do të jenë shqiptarët në rajon, shkruan KOHA.
“Në rast se pandemia do të fillojë të administrohet dhe menaxhohet, te sektori i turizmit shpresojmë shumë, i kemi të gjitha pritshmëritë, komunikimin dhe informacionin e nevojshëm -do të duhet të shndërrohet në një promotor të gjithë ekonomisë shqiptare post-virus. Por, sektori është goditur shumë, në sektorin e transportit, sektorin e agjencive, sektorin e hoteleve dhe bareve, menaxhimit të eventeve dhe dasmave. Virusi e ka çuar në zero të gjithë aktivitetin. Ka stopuar në mënyrë të menjëhershme dhe do t’i duhet shumë mbështetje për ta marrë veten”, tha ministri Klosi.
Klosi thotë edhe se të dy paketat e qeverisë Rama kanë qenë në mbështetje të drejtpërdrejtë të këtij sektori. “Të dy paketat e qeverisë Rama kanë qenë të drejtpërdrejta me ndikim në fushën e turizmit. Një pjesë e madhe e sektorit të turizmit janë biznese të vogla që përfituan nga paketa e parë. Paketa e dytë ishte pothuajse e gjitha për turizmin, në tre aspekte. Së pari me pagesat për të gjithë të punësuarit. Sistemi i taksave dhe tatimeve është shtyrë për vitin 2021, duke i dhënë një frymëmarrje këtij sektori dhe përllogaritja të bëhet në bazë të asaj që ka fituar. E treta është ndihmesa me kreditë e buta, garanci që do t’i japë sektorit një likuiditet shumë të nevojshëm për t’i vazhduar investimet për fazën përgatitore për këtë sezon”, tha ai.