Teoria e rrezikshme, thirrje emergjente pas deklaratës së Trumpit

Linjat emergjente të thirrjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë raportuar për një rritje të madhe të personave që kanë kërkuar këshilla për injektimin e dezinfektuesve, pasi dëgjuan deklaratën e presidentit Donald Trump.

Presidenti kundërthënës shkaktoi reagime të ashpra të premten kur tha se duhet të shikohet mundësia e injektimit të dezinfektuesve që sipas tij, po tregohen të suksesshëm në asgjësimin e koronavirusit, transmeton KOHA.

Agjencia e menaxhimit të emergjencave në Maryland, përmes një postimi në Twitter, ka njoftuar se ka pranuar një seri thirrjesh se si të përdoren dezinfektuesit dhe zbardhuesit.

Reklama e sponzorizuar

Kjo qendër u ka bërë thirrje amerikanëve që në çfarëdo rrethane të mos tentojnë injektimin e tyre pasi mund të shkaktojë vdekje të menjëhershme.

Thirrje të ngjashme emergjente janë raportuar të shtunën edhe në New York. Qendra për kontrollin e helmimeve në këtë shtet amerikan, ka pranuar 30 thirrje në lidhje me përdorimin e zbardhuesit “Lysol”.

Ekspertët shëndetësorë, por edhe kompanitë për prodhimin e dezinfektuesve, u kanë bërë thirrje njerëzve që të mos tentojnë injektimin e dezinfektuesve pasi rrezikojnë të helmohen apo edhe të vdesin.