12 pacientë me COVID-19 në Klinikën Infektive, një në gjendje të rëndë

Mëngjesin e sotëm është shënuar viktima e 27 nga Covid-19 në Kosovë. Pacientja që ka ndërruar jetë është një 63-vjeçare nga Dragashi, e cila përveç infeksionit me koronavirus ka pasur edhe sëmundje kronike të veshkave dhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Infektologu Valbon Krasniqi ka thënë për KosovaPress se në këtë klinikë aktualisht po trajtohen 12 pacientë, ndërsa sot gjatë ditës janë liruar katër pacientë të shëruar nga koronavirusi.

“Gjendja shëndetësore e nëntë prej tyre është shumë e mirë, ndërsa dy persona janë në oksigjeno-terapi. Ndërsa, në repartin intensiv vazhdojmë të kemi në gjendje shumë të rëndë një të moshuar 73-vjeçar, i cili krahas mbikëqyrjes nga infektologu në bashkëpunim me anesteziologun, është duke u monitoruar 24 orë në përkujdesje intensive dhe gjendjen e tij e vlerësojnë kritike”, tha Krasniqi.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka folur edhe për vdekjen e viktimës së 27 nga COVID-19 në Kosovë, e cila është një paciente nga Dragashi.null

“Sot në orët e mëngjesit nuk ka arritur t’i mbijetojë infeksionit një grua e moshës 63-vjeçare nga komuna e Dragashit, e cila në Klinikën Infektive është pranuar para 12-13 ditëve. Është e vërtetë që krahas infeksionit ajo ka pasur edhe pamjaftueshmëri të veshkave, dhe si pasojë e saj ka qenë në dializë të rregullt kronike, sëmundje të diabetit”, shton Krasniqi.

Veç tjerash thotë se mbrëmë në Klinikën Infektive janë pranuar dy raste, ku një fëmijë i moshës 2-vjeçare së bashku me nënën e saj kanë shfaqur simptoma më të theksuara të virusit, por që tani janë në gjendje stabile.

Ai thotë se pavarësisht numrit të vogël të rasteve që janë paraqitur ditëve të fundit, qytetarët duhet të vazhdojnë të mbajnë higjienën personale, dhe të kenë kujdes me distancën fizike.

Në Kosovë janë konfirmuar 860 raste me COVID-19, 533 janë shëruar, ndërsa 27 kanë vdekur.