Komuna e Mitrovicës ka bërë të ditur se pas rastit të parë të konfirmuar me koronavirus, shtabi emergjent i kësaj komune ka marrë masa shtesë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Siç bëhet e ditur nga kjo komunë janë evidentuar të gjitha rastet e të infektuarës, derisa njoftohet se janë 96 persona, prej tyre, 84 punëtorë të ETC-së.
“Fillimisht në këtë mbledhje u potencua se ekipet nga Qendra Rajonale e Shëndetit Publik, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, dhe ekipin komunal për menaxhimin e emergjencave, kanë evidentuar të gjitha rastet e kontaktit të të infektuarës, të cilët janë gjithsej 96 persona, 84 punëtorë të ETC-së, ndërsa të tjerë familjarë që do të testohen nga IKShPK-ja, dhe janë rekomanduar për vetizolim për dy javët e ardhshme”, thuhet në njoftim.
Përveç mbylljes së përkohshme të ETC- së deri në verifikimin e të gjitha rasteve të kontaktit, kryetari i komunës Agim Bahtiri ka propozuar disa masa shtesë për të gjitha supermarketet që veprojnë në Mitrovicë, në mënyrë që qytetarët të jenë të mbrojtur më shumë nga ky virus;
Sipas njoftimit, bizneset që nuk respektojnë vendimin do të rrezikojnë me mbylljen e biznesit të tyre, dhe për personat të cilët nuk zbatojnë rekomandimet nga institucionet lokale dhe ato qendrore, nga organet e rendit do t’u ngritet vepër penale.
Masat e marra:
1. Asnjë qytetari të mos i lejohet hyrja në supermarkete pa dorëza dhe maskë.
2. Të vendoset në hyrje një tavolinë për ekzaminimin e konsumatorëve me termometër digjital.
3. Të dezinfektohen në tërësi objektet në baza ditore dhe në prani të inspektorëve komunal.
4. Obligohen supermarketet të angazhojnë stafin e tyre për të bërë dezinfektimin e të gjitha shportave dhe karrocave për çdo përdorim.
5. Të jetë në hyrje të çdo supermarketi dezinfektuesi për duar, dhe në të gjitha hapësirat tjera.
6. Secili qytetar është i obliguar të njoftoj organet e rendit për hyrjen e qytetarëve nga komunat e karantinuara.