AAK: Qëndrimi tendencioz i Borrellit është i dëmshëm për stabilitetin në rajon

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka hedhur akuza ndaj Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Josep Borrell, i cili u deklarua për idenë e ndryshimit të kufijve.

Në komunikatën për media të AAK-së thuhet se ideja e Borrellit për ndryshimin e kufijve është e dëmshme për paqen dhe stabilitetin e rajonit.

“Pasaktësia dhe qëndrimi tendencioz i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Josep Borrell, lidhur me idenë e ndryshimit të kufijve, ashtu siç është deklaruar dje në media, është e dëmshme për paqen dhe stabilitetin e rajonit, dhe e cilësojmë si qasje destruktive në raport me rolin e tyre si lehtësues në dialogun e udhëhequr nga Amerika për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në reagim.

Reklama e sponzorizuar

AAK-ja thotë se secila përpjekje për të na rikthyer në një proces të paqartë, të pakornizuar në kohë, dhe pa parime dialoguese, do të jetë kundërproduktive, dhe do të refuzohet fuqishëm nga Kosova dhe populli i saj sikurse në të kaluarën.

“Të cilët janë të përcaktuar për Kosovën në kufijtë e pavarësisë së 17 shkurtit 2008, ashtu siç na ka njohur shumica absolute e shteteve perëndimore demokratike, në krye me ShBA-në”, përfundon reagimi.