Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se është koha që Kosova të intensifikojë rihapjen pas izolimit prej më shumë se dy muajsh për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Në një postim në Facebook, Ahmeti ka thënë se masat tashmë as s’po respektohen nga qytetarët e as nuk mund të zbatohen nga policia e inspektorët. Ka rekomanduar rishikimin e tyre. Ahmeti ka thënë se rihapja graduale e çerdheve dhe shkollave duhet të jetë në mesin e fokusit të masave. Sipas tij, duhet të veprohet edhe për rregullat për hapësirat e mbyllura, posaçërisht në gastronomi e të hiqen oraret e lëvizjes.
Ka thënë se duhet të hiqet edhe karantinimi e të hapen kufijtë.
Sipas Ahmetit, fokusi i masave duhet të jetë:
– Mbrojtja e personave të rrezikuar nga sëmundjet kronike dhe ata të moshës mbi 60 vjet;
– Izolimi i rasteve pozitive dhe kontakteve potenciale;
– Rregullat për hapësirat e mbyllura, posaçërisht në gastronomi;
– Rihapja e çerdheve dhe rihapja graduale e shkollave (klasat 1-5 fillimisht);
– Maskat si mbrotja primare nga një shpërthim eventual;
– Të hiqen oraret e lëvizjes;
– Të hiqet karantina nga Qendra e Studentëve dhe të kthehemi në vetizolim detyrues;
– Të hapen kufijtë me shtetet që nuk kanë krizë epidemiologjike me prioritet Shqipërinë.
Ahmeti ka thënë se “faza e dytë nuk ka kuptim të zgjasë dy javë”.
“Humbjet ekonomike tashmë janë shumë të mëdha. Do të na duhen ide kreative për t’u përballë me humbjet që do të zgjat me muaj. Ndërsa ne si komuna duhet shpejt të lëvizim drejt qyteteve më të pastra me më pak kerre e më pak ndotje. Tash koha të merremi me pasoja”, ka shkruar tutje ai në Facebook.
Faza e dytë e lehtësimit të masave ndaj koronavirus ka nisur më 18 maj. E treta planifikohet të nisë më 2 qershor. Deri tash në Kosovë janë regjistruar 1004 të infektuar, ndërsa prej tyre 772 janë shëruar. 29 persona kanë vdekur. Të enjten u regjistrua vetëm një rast i ri me koronavirus.