I nominuari për kryeministër nga radhët e LDK’së, Avdullah Hoti, po thotë se sa më shpejtë duhet të merren masa për rimëkëmbjen ekonomike të vendit.
Hoti ka shkruar në Facebook se pandemia COVID-19 ka shkaktuar shok ekonomik, duke ndikuar në prodhim, punësim dhe eksporte.
“Është evidente se COVID-19 ka shkaktuar shok ekonomik, duke ndikuar negativisht në prodhim, punësim, të ardhura dhe eksporte. Prandaj, duhet ndërmarrë masa që sa më parë të normalizohet funksionimi i jetës ekonomike në vend”, ka shkruar Hoti.
Ai thotë se ka filluar komunikimin me institucionet për mobilizim të fondeve për rimëkëmbjen ekonomike në vend.
“Për mobilizimin e fondeve për rimëkëmbje ekonomike tashmë kemi filluar komunikimin me institucionet relevante për absorbimin sa më efikas të mbështetjes teknike dhe financiare”, ka shkruar Hoti në Facebook.