Shoqata e Bankave të Kosovës dhe IFC nënshkruajnë marrëveshje për avancimin e transformimit digjital dhe përfshirjen financiare

Shoqata e Bankave të Kosovës (SHBK) dhe Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për të avancuar shërbimet financiare digjitale, për të zhvilluar ekosistemet fintech dhe për të përmirësuar sistemet e informacionit të kredive në Kosovë.

Marrëveshja u nënshkrua nga Kryeshefi Ekzekutiv i SHBK, z. Petrit Balija dhe z. Nicolas Marquier, Menaxher Regjional për Ballkanin Perëndimor në IFC. Ky bashkëpunim është një pjesë e rëndësishme e Projektit të Shërbimeve Financiare Digjitale dhe Financave të Integruara për Ballkanin Perëndimor, financuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO).

Projekti ka për qëllim harmonizimin e sistemeve financiare të Kosovës me standardet
evropiane, duke mbështetur përfshirjen financiare dhe rritjen ekonomike të qëndrueshme.
Përmes zgjidhjes së boshllëqeve rregullatore dhe institucionale, kjo nismë vendos bazat për
shërbime financiare inovative dhe sisteme krediti të avancuara, duke krijuar përfitime konkrete për individët, bizneset dhe ekonominë në përgjithësi. Projekti synon modernizimin e sektorit financiar të Kosovës, duke zgjeruar qasjen në kredi dhe duke ofruar shërbime financiare të sigurta, efikase dhe të përshtatura për nevojat e individëve dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM). Përmirësimi i qasjes në teknologji dhe integrimi i praktikave të mira ndërkombëtare do të kontribuojnë në një sistem financiar më të qasshëm dhe të qëndrueshëm.

Reklama e sponzorizuar

Përmes këtij bashkëpunimi, SHBK dhe IFC do të përqendrohen në pika të rëndësishme si:

 Rritja e ndërgjegjësimit për regjistrimin digjital dhe e-KYC: Zhvillimi i trajnimeve dhe
punëtorive për të përmirësuar praktikat e regjistrimit digjital dhe identifikimit elektronik të
klientëve (e-KYC), duke adresuar sfidat ekzistuese dhe përmirësuar menaxhimin e
rreziqeve financiare në Kosovë.

 Promovimi i bankimit të hapur: Identifikimi dhe prioritetizimi i rasteve të përdorimit të
bankimit të hapur për të krijuar një sistem financiar më të qasshëm dhe të orientuar drejt
përdoruesve.

 Praktikat më të mira për pagesat pa para të gatshme: Ofrimi i informacionit mbi modelet
më të mira për implementimin e pagesave pa para të gatshme, mekanizmat për nxitjen e
përdorimit të tyre dhe organizimi i fushatave për edukim financiar.

 Modelet e reja financiare digjitale: Identifikimi dhe zbatimi i modeleve të reja financiare
bazuar në praktikat ndërkombëtare, përmes trajnimeve dhe seminareve të specializuara.

 Forcimi i rezistencës kibernetike: Zhvillimi i udhëzuesve të vetëvlerësimit për sigurinë
kibernetike dhe organizimi i punëtorive për ndërgjegjësimin mbi rreziqet kibernetike dhe
praktikat e sigurta në sektorin financiar.

 Shfrytëzimi i teknologjive Cloud në shërbimet financiare: Trajnimi mbi mundësitë
komerciale dhe modelet e biznesit të bazuara në teknologjitë cloud, duke promovuar
përputhshmërinë me rregulloret ndërkombëtare për mbrojtjen e të dhënave.

 Përmirësimi i sistemeve të informacionit të kredive: Organizimi i trajnimeve dhe mbledhja e informacionit për praktikat aktuale në përdorimin e të dhënave, me qëllim zhvillimin e produkteve të reja dhe zgjerimin e bazës së klientëve, duke garantuar siguri dhe mbrojtje të të dhënave.

Përfitimet kryesore:

Ky projekt do të mundësojë sektorin financiar të Kosovës të ofrojë shërbime më të
aksesueshme dhe produkte financiare të përballueshme e inovative. Përmirësimi i kornizave rregullatore dhe zhvillimi i infrastrukturës do të nxisin përfshirjen financiare, do të reduktojnë rreziqet e kredive dhe do të krijojnë një mjedis të sigurt për investime të qëndrueshme.