Banka e Anglisë ka paralajmëruar se pandemia me koronavirus do ta shtyjë ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar drejt recesionit më të thellë në histori.
Ajo ka thënë se ekonomia pritet të tkurret për 14 për qind këtë vit, nëse masat e izolimit lehtësohen në qershor.
Skenarët e krijuar nga kjo Bankë kanë treguar se sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi, ka ndikuar “në mënyrë dramatike në zvogëlimin e vendeve të punës dhe të ardhurave në Mbretërinë e Bashkuar”.
Politikëbërësit kanë miratuar njëzëri mbajtjen e shkallës së interesit në nivel rekord të ulët prej 0.1 për qind.
Analiza e Bankës së Anglisë është bazuar në lehtësimin e masave të distancimit fizik nga qershori në shtator.
Mbretëria e Bashkuar është vendi i prekur më së keqi në Evropë nga koronavirusi.
Në këtë territor janë regjistruar mbi 200,000 persona të infektuar dhe mbi 30,000 të vdekur si pasojë e sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi. /REL/