BE: Vendimi i Kushtetueses të respektohet, të merren hapat e duhur për implementimin e tij

Bashkimi Evropian bën thirrje që të gjithë akterët politik në Republikën e Kosovës të respektojnë vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës rreth çështjes së dekretit të presidentit Hashim Thaçi.

Kështu ka thënë për Gazetën Express zëdhënësja e BE’së, Ana Pisonero, e cila ka theksuar se janë në dijeni të vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth dekretit të presidentit të Kosovës për nominimin e Avdullah Hotit për kryeministër.

Pisonero ka thënë se BE bënë thirrje që të ndërmerren hapat e nevojshëm për të implementuar vendimin e Kushtetueses pasi siç thotë ajo një gjë e tillë ndërlidhet me respektimin e parimit kryesor që është sundimi i ligjit.

Reklama e sponzorizuar

“Ne iu bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë të Kosovës që të respektojnë vendimin e Gjykatës dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm për ta zbatuar atë. Kjo ka të bëjë me respektimin e një parimi kryesor të sundimit të ligjit”, ka thënë Pisonero për Gazetën Express.

Gjykata Kushtetuese mbrëmë ka vendosur në favor të Dekretit të presidentit Hashim Thaçi përmes të cilit ka nominuar Avdullah Hotin e LDK’së për kryeministër të ri.

Zhvillime të tilla kanë ardhur pas rrëzimit të Albin Kurtit përmes një mocioni të mosbesimit. Institucionet e reja tashmë pritet t’i krijojë Lidhja Demokratike e Kosovës në bashkëpunim me AAK-në e Haradinajt dher NISMA’n.