Covid-19, papunësia në SHBA mbi 20 për qind

Një numër rekord amerikanësh pritet të qëndrojnë në listat e të papunëve deri në vjeshtë si pasojë e pandemisë. Teksa vendi gjendet pak muaj para zgjedhjeve presidenciale, situata është në disfavorin e kreut të shtetit, Donald Trump.

Papunësia në Amerikë parashikohet të ngjitet mbi 20 për qind në muajin maj dhe mund të mbetet në nivele dyshifrore deri në muajin nëntor.

Reklama e sponzorizuar

Për shkak të pandemisë Covid-19, muajin e kaluar norma e papunësisë në SHBA preku vlerën 14,7 për qind, apo 11 për qind mbi mesataren njëvjeçare.

Numri i personave të papunë u rrit me 7 milion, të punësuarit u ulën me 22,4 milion sikundër edhe pjesëmarrja në forcën e punës, duke kapur vlerat më minimale që nga depresioni i madh i viteve 1930.

Por këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Kevin Haset, tha të dielën se pasojat katastrofike të pandemisë në ekonomi mbeten ende për t’u konfirmuar.

Pika e kthesës pritet të shënohet në muajin qershor, kur papunësia parashikohet të arrijë kulmin e vet.

Trendi më pas do vijë duke u përmirësuar por rimëkëmbja ekonomike nuk do të jetë e mundur pa u gjetur më parë vaksina kundër kovidit.

Ekonomistët gjithashtu janë të shqetësuar për prirjen e konsumatorëve për të shpenzuar si më parë nëse dikur ekonomia do të rihapej plotësisht.

Gjatë nëntë javëve të aplikimit të masave të karantinës, rreth 40 milionë amerikanë humbën vendet e tyre të punës për shkak të pandemisë.

Një paketë stimulues me vlerë 2 trilionë dollarë do u shpërndahet taksapaguesve dhe bizneseve më të goditura për një periudhë deri 39-javore.

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi javën e kaluar se edhe sikur vendi të goditet nga një valë e dytë epidemike në muajt që vijnë, ai nuk do e përsëritë më masën e izolimit ekonomik të vendit.

Deri tani në Amerikë koronavirusi ka infektuar mbi 1,6 milionë persona dhe ka vrarë 97 mijë të tjerë.