
Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme në Kosovë mund të aplikojnë për grante në vlerë prej 50 mijë deri në 100 mijë euro për investime në inovacionin e gjelbër dhe rritjen e qëndrueshme.
Thirrja është hapur në kuadër të Fondit për Inovacion të projektit “Transformimi i Gjelbër i Ndërmarrjeve Private në Kosovë” – GPEK.
Fondi do të mbulojë deri në 70 për qind të kostove të pranueshme të projektit, ndërsa aplikuesit duhet të sigurojnë së paku 30 për qind të bashkëfinancimit në para. Kontributet në natyrë inkurajohen, por nuk mund ta zëvendësojnë kontributin minimal financiar.
Për të përfituar, ndërmarrjet duhet të jenë të regjistruara ligjërisht dhe të ushtrojnë aktivitet në Kosovë për së paku dy vjet. Ato duhet të dëshmojnë kapacitet për menaxhimin e investimit dhe sigurimin e bashkëfinancimit të kërkuar.
Si bëhet aplikimi?
Procesi fillon me dorëzimin e Shprehjes së Interesit. Aplikuesit që kalojnë fazën e parë do të ftohen ta dorëzojnë aplikacionin e plotë për grant.
Afati i fundit për aplikim është 31 janar 2027, në orën 16:00. Aplikimi i hershëm inkurajohet
Thirrjen e plotë, formularët e aplikimit, formatin e buxhetit dhe përgjigjet në pyetjet më të shpeshta mund t’i gjeni këtu.
Fondi për Inovacion është aktivitet i projektit GPEK. Transformimi i Gjelbër i Ndërmarrjeve Private në Kosovë (GPEK), është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpuni (SDC), i bashkëfinancuar nga Suedia dhe i zbatuar nga Helvetas.
Më shumë informata për projekti GPEK i gjeni këtu: The Greening Private Enterprises in Kosovo (GPEK)










