Pako e rimëkëmbjes e prezantuar një ditë më parë nga ministri në Detyrë i Financave, Besnik Bislimi mund të mbetet në sirtar nëse nuk merret parasysh nga Qeveria e re e cila mund të formohet së shpejti pas publikimit të Aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese.
Ministri Bislimi ka prezantuar pakon e rimëkëmbjes ekonomike dhe një tillë, e ka proklamuar kandidati për kryeministri Avdullah Hoti.
Biznesi ka nevojë për ndihmë dhe gjithçka tashmë konsiderohet urgjente. Kështu vlerësojnë ekonomistët. Sipas tyre, Pakoja e rimëkëmbjes ekonomike e prezantuar nga ministri në detyrë i Financave, Besnik Bislimi, vështirë se mund të merret parasysh nga një Qeveri e re, nëse formohet së shpejti. Por, një pako të tillë për rimëkëmbje ekonomike ka folur se e ka gati edhe kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti.
Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane:
“Në kushte ideale do të duhej që pako e qeverisë të jetë pikënisje për ndihmë biznesve, por duke parë praktikat e mëhershme, Qeveria e re synon të prezantoj programin e vet”.
Disenjimi i pakos i hartuar nga Qeveria në detyrë me ndikim të përgjithshëm në ekonomi kap vlerën e 1.26 miliardë eurove me periudhë plasimi në ekonomi prej 24 muajsh kurse me shtrirje të kostos në pesë vitet në vijim.
Safet Gërxhaliu, Njohës i çështjeve ekonomike:
“Kosova nuk e ka luksin ta hudh pakon e prezantuar nga Ministri në detyrë. Të dyja mund të fuzionohen”.
Ministri në detyrë Bislimi, tha se një ditë më parë gjatë prezantimit të pakos se kjo fazë e rimëkëmbjes ekonomike si për nga vëllimi i intervenimit, ashtu edhe për nga struktura e masave të parapara, pritet të ketë ndikim dukshëm më intensiv si në stabilizimin e aktivitetit ekonomik në vend, ashtu edhe në korrigjimin e deformimeve ekzistuese në strukturën e PBB-së së vendit.