“Qeveria të marrë parasysh kërkesat e sektorit të energjisë së ripërtëritshme”

Instalimi i paneleve diellore mbi shtëpi

Pandemia dhe masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për ta parandaluar përhapjen e COVID-19 ka ndikuar negativisht në shumë sektorë, duke përfshirë këtu sektorin e energjisë së ripërtëritshme.

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK) bashkë me Fondacionin gjerman Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) organizuan një forum virtual për të biseduar rreth sfidave dhe mundësive në sektorin e energjisë së ripërtëritshme, dhe atë të efiçiencës së energjisë.  
Për ta shfrytëzuar pakon e rimëkëmbjes ekonomike si levë, jo vetëm në ringjalljen ekonomisë, por edhe në krijimin e vendeve të reja të punës Qeveria duhet ta ketë në fokus edhe përfshirjen e agjendës së gjelbër në planin për rimëkëmbje.
Lulzim Syla, partner menaxhues në kompaninë ELEN dhe anëtar i OEGJK-së, theksoi se është mjaft brengosëse që si shtet nuk kemi arritur akoma qysh nga paslufta të konkretizojmë një strategji të mirëfilltë për energji, por kemi humbur kohë, edhe pse e kemi ditur që potenciali i energjisë së ripërtëritshme në Kosovë nuk duhet injoruar.
Z. Syla ndër të tjera ceki se Qeveria mund t’i ndihmojë rimëkëmbjes ekonomike duke ofruar lehtësime për këtë sektorë e që do të kishte ndikim në të mirën e përgjithshme ekonomike. “Si hapë i parë që kishte me i ndihmu jashtëzakonisht procesit të rimëkëmbjes kishte me qenë që në fushën e energjisë solare të bëhet heqja e TVSH-së për klientë familjarë. Kjo do të ndihmonte në masë të madhe që vendimarrja për investime në energji solare të ishte më e madhe për shkak se po flasim për gati 20% të ulje të kostos dhe kësaj të i bashkangjitet një fond për mbështetje të familjeve në masa deri 30% për mbulim, që në total do të ishte 50%”
Lulzim Syla theksoi që duhet të eleminimuar barrierat nga Zyra e Rregullatorit siç janë kufizimi deri 100kW për bizneset private dhe heqja e kërkesës nga ZRRE që për cdo projekt familjar të ketë nevojë të aprovojë Bordi i ZRRE-së një projekt të tillë. Zgjerimi i Fondit për Eficiencë edhe për biznese të cilat investojnë në automatizim, digjitalizim dhe eficience te energjise duke ulur konsumin e energjisë. Sipas z. Syla, me këto hapa të ndërmarrë, secila familje do të ishte e interesuar të implementojë një projekt të këtillë dhe do të rritej investimi për energji solare.
Në takim u theksua rëndësia e mbështetjes së bizneseve private në masën deri 40% të fondit për instalim të sistemeve solare fotovoltaike në kulmet e objekteve të tyre me mundësi që të krijohet një kapacitet deri 100MW me energji solare nga këto biznese.
Burim Ejupi, drejtor ekzekutiv i INDEP theksoi që plani për rimëkëbje është ndikuar nga politika, dhe që situata politike në të cilën gjendet vendi e bën shumë të vështirë implementimin e planit për rimëkëmbje ekonomike, e në veçanti nëse flasim për Green Agenda. “Cilado qeveri që është, çfarëdo plani që do ta bëj, duhet me pas parasysh efiçiencën e energjisë. Tash kur pyetemi pse, ne jemi të vëtëdijshëm që shumë vende të punës kanë me u humb, ekonoima nuk do të kthehet menjëherë siç ka qenë para tre muajve”.
Z. Ejupi tregoi për iniciativën e ndërmarrë pak para pandemisë nga organizata të cilën e udhëheq INDEP, që lidhet me promovimin e efiçiencës së energjisë te bizneset. Mirëpo, shkaku i pandemisë fushata është ndalur dhe tani kur Fondi për Efiçiencë të Energjisë ka hapur fondet, shohim se shumica e komunave nuk mund të aplikojnë, meqë nuk kanë miratuar strategjitë përkatëse në Kuvendet Komunale. Ai inkurajon bizneset që merren me ndërtimtari dhe ato që merren me efiçiencë të aplikojnë në këto projekte. 
Dardan Sejdiu, njohës i çështjeve ekonomike, theksoi se përkundër krizës politike ekziston një nivel i qeverisjes nëpërmjet të cilit mund të implementohen projektet e agjendës së gjelbërt, e ato janë komunat. Ato mund të ndërmarrin hapa pa përfshirjen e nivelit qendror në implementimin e disa projekteve që lidhen me efiçiencë të energjisë.
Sipas z. Sejdiut, në nivel komunal i sheh si të rëndësishme pesë tema të cilat komunat duhet t’i ndërmarrin, ku tri prej tyre mund të luajnë rol mjaft të rëndësishëm, siç janë kodi i ndërtimit, draftimi i hartave zonale, dhe krijimi i planeve të qyteteve të gjelbërta si ndër ato më kyçe.
Z. Sejdiu përmendi hartat zonale si dhe rëndësinë e investimit masiv në objekte publike të Kosovës, pra në program të retrofitit-shndërrim në ndërtesa efiçiente. Kjo sipas tij, do t`i mobilizonte paratë publike dhe sektorin e ndërtimit. “Programi që unë do të propozoja, është i lidhur në investim masiv në retrofit të objekteve publike por mund të përfshihen edhe objektet kolektive. Me anë të këtyre projekteve përpos kursimit do e kemi edhe një të mirë shtesë, e që është një ndihmë e madhe që do i bëhej sektorit të ndërtimit. Në këtë mënyrë do të kijonim punë dhe angazhim të fuqisë punëtore” – tha Sejdiu.
Në mënyrë që komunat të përmbushin kapacitetet për implementimin e këtyre projekteve, ai e vë në pah rolin e Asociacionit të Komunave, ku do të ndihmonte këtë proces duke u përdorë si mjet për transferimin e dijës dhe eksperiencës.
Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK) bashkë me Fondacionin gjerman Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), do të vazhdojnë me organizime të tilla edhe në të ardhmen, e që kanë për synim të ofrojnë një platformë diskutimi në mes të bizneseve dhe institucioneve tona për sfidat dhe zgjidhjet e mundshme për rimëkëmbjen ekonomike të vendit.