Eksporti i mallrave gjatë muajit prill ra për 11.5 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të shkuar, ndërkohë importi për 34.4 për qind.
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për muajin që shkoi, vlera e eksportit gjatë prillit ishte 32.6 milionë euro, kurse e importit 193.9 milionë euro.
“Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për (-37.6%) në muajin prill 2020, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2019, gjegjësisht në vlerë prej 161.2 milionë Euro, krahasuar me deficitin prej 258.5 milionë Euro në vitin 2019. Eksporti mbulon importin me 16.9%”, thuhet në raportin e ASK-së.
Kosova eksportoi në vendet e BE-së mallra në vlerë 12.4 milionë euro, ose rreth 38.2% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 1.1%, ndërkohë importi nga vendet e BE-së u fiksua në 95.4 milionë euro, ose 49.2% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-38.9%) krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Këto rënie sipas ekspertëve lidhen ngusht me bllokimin e ekonomisë shkaku i pandemisë.