Flandra Marmullaku shpallet fituese e çmimit “ICT Woman Entrepreneur” për vitin 2026

Flanda Marmullaku, bashkëthemeluese dhe Drejtore Ekzekutive e Data4X

Flandra Marmullaku, bashkëthemeluese dhe Drejtore Ekzekutive e Data4X, është shpallur fituese e çmimit “ICT Woman Entrepreneur of the Year 2026” në mesin e 180 nominimeve nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (Regional Cooperation Council – RCC).

Ky vlerësim është pjesë e iniciativës rajonale “Western Balkans Six Women Entrepreneurs of the Year 2026”, e cila njeh gratë sipërmarrëse që, përmes inovacionit, teknologjisë dhe lidershipit, po kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe konkurrueshmërinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Çmimet u ndanë në kuadër të Forumit Rajonal për Barazi Gjinore, të mbajtur në Sarajevë.

Flandra Marmullaku u vlerësua për kontributin e saj në sektorin e teknologjisë dhe analitikës së të dhënave, si dhe për zhvillimin e Data4X, një platformë e inteligjencës së tregut që ndihmon bizneset dhe institucionet të marrin vendime më të shpejta dhe më të informuara, duke i shndërruar të dhënat në njohuri me vlerë për vendimmarrje.

“Ky çmim është një nder i madh dhe një motivim për të vazhduar të ndërtojmë zgjidhje që krijojnë vlerë reale për bizneset dhe institucionet. Është gjithashtu një dëshmi se inovacioni dhe teknologjia që zhvillohen në Kosovë mund të kenë ndikim rajonal. Ky vlerësim i takon të gjithë ekipit të Data4X, partnerëve tanë dhe çdo klienti që ka besuar në vizionin tonë,” tha Flandra Marmullaku Ahmeti pas pranimit të çmimit.

Data4X është një platformë e inteligjencës së tregut që kombinon të dhëna ekonomike, financiare, sektoriale dhe të fuqisë punëtore për t’i ndihmuar bizneset, institucionet financiare, organizatat dhe institucionet publike të marrin vendime të bazuara në të dhëna.

Platforma synon ta bëjë inteligjencën e tregut më të qasshme, duke ofruar analiza, krahasime dhe indikatorë që mbështesin rritjen dhe zhvillimin e organizatave. Ky çmim përfaqëson një njohje të rëndësishme jo vetëm për Data4X, por edhe për potencialin e Kosovës për të zhvilluar produkte inovative me ndikim rajonal dhe ndërkombëtar.

Rreth RCC

Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (Regional Cooperation Council – RCC) është organizata kryesore rajonale që promovon bashkëpunimin, zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian në Ballkanin Perëndimor. Programi “Western Balkans Six Women Entrepreneurs of the Year” organizohet për të njohur dhe promovuar gratë sipërmarrëse që po nxisin inovacionin, transformimin digjital dhe zhvillimin ekonomik në rajon.