Emigrantëve të jashtëligjshëm u kërkohet të shpëtojnë të korrat italiane

  • Qeveria italiane planifikon të japë leje pune gjashtëmujore
  • Plani i të korrurave nxitet nga ministrja e bujqësisë Bellanova

Me ekonominë e rënduar nga pandemia e koronavirusit, Italia po i drejtohet një shpëtimtari të pagjasë për të shpëtuar të korrat e ushqimit të freskët: emigrantëve të jashtëligjshëm.

Pavarësisht rritjes së ndjenjave antiemigruese në vitet e fundit, ministrja e Bujqësisë, Teresa Bellanova, udhëhoqi me sukses një plan që ka shkaktuar mjaft polemika: dhënien e lejeve gjashtëmujore të punës për qindra mijë emigrantë pa dokumente, nga Afrika dhe Europa Lindore, për t’i punësuar në nxjerrjen e të korrave. Qeveria e kryeministrit Giuseppe Conte e miratoi masën të mërkurën, duke u kundërshtuar fort nga një prej partive kryesore në koalicionin qeverisës, Lëvizja Pesë Yje.

Reklama e sponzorizuar

Italia po përballet me një mungesë masive në punën sezonale, në një kohë kur Komisioni Europian parashikon se ekonomia e saj do të tkurret me 9.5% këtë vit, ndërsa Bloomberg Economics parashikon një tkurrje prej 13%. Karantinat dhe mbylljet e kufijve me qëllimin për të luftuar pandeminë, kanë ndaluar ardhjen e qindra mijë punëtorëve të huaj, të cilët normalisht vijnë në Itali çdo vit gjatë kohës së korrjes dhe korrin më shumë se një të katërtën e prodhimeve të freskëta Made in Italy.

“Nuk shoh asnjë logjikë në kundërshtimin e një mase të tillë të bazuar në ligj dhe barazi”, tha Bellanova në një konferencë për shtyp të mërkurën. Ministrja filloi të punojë në bujqësi që në moshën 14-vjeçare. Ajo më parë kërcënoi se do të hiqte dorë nga posti nëse kabineti nuk do ta miratonte masën.

Mungesa e punëtorëve ia ka lënë rrugën e hapur mafies për të vendosur grupe bandash. Direzione Investigativa Antimafia, agjencia qeveritare që lufton mafiozët, thotë se disa emigrantë të jashtëligjshëm janë të detyruar të punojnë në tregun e zi nën kontrollin e bandave mafioze italiane dhe të huaja, të njohura si “caporali”.

“Në Itali, punëtorët e parregullt që punojnë në fusha, shpesh janë njerëz që skllavërohen, në gjendje çnjerëzore, të cilëve u mungon kujdesi shëndetësor. Grupet e bandave kryejnë krime, ata përfaqësojnë mafian”, tha Bellanova, ish-aktiviste sindikale 61-vjeçare, e cila ka luftuar kundër sistemit të bandave që nga fundi i viteve 1970.

“Në bujqësinë italiane nuk ka zinxhirë të pistë furnizimi, por disa kompani që zgjedhin paligjshmërinë dhe konkurrencën e padrejtë, dhe që dëmtojnë me mijëra kompani të tjera të shëndetshme të cilat zgjedhin një konkurrencë të bazuar në cilësinë e produktit”, tha Bellanova në një intervistë.

Emigracioni është bërë një temë emocionale në Itali, ku populisti Matteo Salvini, drejtuesi i partisë Liga, deklaroi në shkurt se virusi theksonte nevojën që ka Italia për të mbyllur portet e saj për emigrantët që vijnë nga Afrika e Veriut. Periudha e tij 15-mujore si ministër i Brendshëm, u shënua nga një rritje e mprehtë në retorikën anti-emigrante dhe anti-islamike, e cila ndikoi mjaftueshëm në sondazhet e opinionit publik.

Këto ndjenja u shpalosën haptazi të dielën, kur një punonjëse italiane 24-vjeçare, Silvia Romano, e cila ishte mbajtur peng në Afrikë për 18 muaj, doli nga aeroplani e veshur me një rrobë të gjelbër myslimane. Konvertimi i saj në Islam shkaktoi mesazhe kërcënuese në mediat sociale.

Duke e lënë politikën mënjanë, masa e re e nxitur nga Bellanova, lindi nga nevoja dhe mbart një përfitim shtesë – rrit të ardhurat e taksave në një kohë kur deficiti po zgjerohet.

Në vend po afron sezoni i korrjeve për perime dhe fruta si luleshtrydhe, pjeshkë, mollë, dardha, kivi dhe më vonë në verë, domate dhe rrush.

370,000 punonjësit e ligjshëm që vijnë zakonisht nga jashtë, janë kryesisht të padisponueshëm dhe nëse vijnë, mund të jetë e nevojshme të qëndrojnë për njëfarë kohe në karantinë. Nga Rumania vijnë rreth 107,000 punëtorë të huaj, sipas Coldiretti, një shoqate të fermerëve italianë.

Francesco Mutti, shefi ekzekutiv i kompanisë Mutti SpA në Parma, një ndërmarrje italiane e përpunimit të domates që është lider në tregun e Europës në këtë fushë dhe shet në 96 vende, nuk është “veçanërisht i shqetësuar” për disponueshmërinë e fuqisë punëtore në fushat e domateve, sepse kompania e tij kërkon që fermerët që i japin prodhime kompanisë, të kryejnë 100% korrje mekanike.

“Pavarësisht kësaj, shqetësimi im lidhet me mungesën e korrjeve në Itali që pritet në muajt e ardhshëm, gjë që do të ndikojë në kërkesën për produktet e domates”, tha ai. “Gjithashtu, do të ketë efekte në sektorin e ushqimit, i cili po përballet me rritjen e kufizimeve dhe masave të sigurisë, që do të ndikojnë tek kostot dhe produktiviteti”.

Bellanova thotë se masa e re e qeverisë është vetëm fillimi. Ajo ka kërkuar krijimin e një sistemi dixhital për ofertën dhe kërkesën për punëtorët e bujqësisë.

“Mungesa e njerëzve për te korrat e ardhshme mund të çojë në kalbjen e frutave dhe perimeve”, tha Bellanova. “Ne rrezikojmë një rritje çmimesh ndërkohë që të ardhurat e disponueshme të shumë njerëzve kanë rënë. Ky do të ishte një shpërdorim i turpshëm i ushqimeve që do të shkaktonte dëme të mëdha për ekonominë tonë”./Bloomberg/