Faktori ndërkombëtar kërkon nga Kuvendi të ratifikojë marrëveshjet financiare

Faktori ndërkombëtar ka vlerësuar institucionet e Kosovës për menaxhimin efektiv të krizës së shkaktuar nga COVID-19, por edhe u ka bërë thirrje që të ratifikohen marrëveshjet ndërkombëtare financiare.

Në një deklaratë të përbashkët të Shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Udhëheqësit të Misioneve të BE-së, ambasadorëve të Norvegjisë, Zvicrës e Mbretërisë së Bashkuar, Udhëheqësit të BERZH-it për Kosovën dhe Menaxherit të Zyrës së Bankës Botërore në Prishtinë, thuhet se tash rëndësi madhore është që rregullat e vendosura nga Qeveria për të parandaluar përhapjen e virusit të respektohen nga të gjithë.

Reklama e sponzorizuar


“Për më tepër, besojmë se në këto kohë të pasigurisë së madhe, të gjithë aktorët duhet t’i lënë mënjanë dallimet dhe të punojnë së bashku për të mirën e njerëzve. I mirëpresim të gjitha mundësitë për t’i diskutuar bashkërisht, në instancat e duhura institucionale, masat e nevojshme për kalimin e sfidës së Covid-19, përfshirë ratifikimin e marrëveshjeve financiare të negociuara me BE-në, shtetet e saj anëtare, Institucionet Financiare Ndërkombëtare, si edhe masat kombëtare për të adresuar krizën shëndetësore dhe ekonomike”, thuhet në komunikatën e përbashkët.

Ditë më parë, kryetarja e Kuvendit të Kosovës tha se disa marrëveshje financiare ndërkombëtare duhet të miratohen në Kuvend dhe se për dy prej tyre, afati është fundi i qershorit.

Seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës është caktuar për 4 qershor, por ratifikimi i këtyre marrëveshjeve nuk është futur në rend dite, me arsyetimin se nuk ka, siç ka thënë Osmani “dakordim mes partive politike”.