Qeveria franceze do të rrisë masivisht mbështetjen e saj për industrinë e automjeteve vendase, në një përpjekje për të zbutur efektin financiar të pandemisë së koronavirusit.
“Kriza shëndetësore solli një ndalesë masive dhe brutale në industrinë e automjeteve franceze. Ajo është pjesë e ekonomisë sonë, mijëra vende punë. Mbështetja jonë do të rritet masivisht,” ka deklaruar presidenti francez Emmanuel Macron.
Industria franceze e automjeteve është goditur shumë nga pandemia. Ligjvënësit e vendit janë veçanërisht të shqetësuar për prodhuesit e makinave Renault, e cila po luftonte që para shpërthimit të koronavirusit.
Ministri i Financave, Bruno le Maire paralajmëroi javën e kaluar se ndërmarrja mund edhe të “zhduket” krejt.
“Renault është në vështirësi serioze financiare,” tha Le Maire.
Macron do të takohet me përfaqësuesit e industrisë së automjeteve këtë të martë, ku pritet të propozojë edhe planin e hartuar nga qeveria për ndihmën financiare për këtë sektor./France24