Gashi thotë se LDK-ja do të kërkojë seancën pasi të publikohet aktgjykimi i plotë i Kushtetueses

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi, ka thënë se kërkesën për seancën për votimin e Qeverisë do ta bëjnë pas publikimit të Aktgjykimit të plotë nga Kushtetuesja për mandatarin.

Gashi në një deklaratë për gazetarët ka thënë se ka pasur takim konsultativ me kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani, e cila, sipas tij, do të respektojë vendimin e Kushtetueses.

Gashi ka theksuar se ende nuk i kanë caktuar emrat e ministrave nga kjo parti.

Reklama e sponzorizuar

Në njoftimin e Kushtetueses të enjten në mbrëmje u bë e ditur se aktgjykimi i plotë do t’u dërgohet palëve dhe do të publikohet “në ditët në vijim”.

LDK-ja është duke mbajtur një takim konsultativ me strukturat e partisë një ditë pasi Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë dekretit të presidentit për mandatimin e Avdullah Hotit të LDK-së për kryeministër.