Gjermania mund të ketë 10 herë më shumë të infektuar sesa dihet

Dhjetëfish më shumë persona mund të jenë infektuar me koronavirusin e ri në Gjermani, sesa që paraqitet në shifrat zyrtare, kanë bërë të ditur hulumtues të Universitetit të Bonit, bazuar në studimet nga qytetet më të goditura të vendit.

Rezultatet preliminare të studimit shërbejnë si rikujtues për rrezikun e infektimeve nga bartësit e paidentifikuar të virusit, disa prej të cilëve nuk kanë shfaqur simptoma për virusin, transmeton KOHA.

Studimi është bërë publik në kohën kur Gjermania ka ndërmarrë hapa shtesë për zbutjen e masave, duke lejuar rihapjen e muzeve, parukerive, kishave dhe fabrikave të veturave.

Reklama e sponzorizuar

“Rreth 1.8 milionë gjermanë duhet të kenë qenë të infektuar, që është më se dhjetëfish më shumë sesa 160 mijë persona sa janë konfirmuar si të prekur deri më tani”, thuhet në studimin e ekspertëve shëndetësorë Hendrik Streeck dhe Gunther Hartman.

Për këtë konstatim, ekipi i studiuesve ka analizuar mostrat e gjakut dhe strishot e hundës të 919 personave të përzgjedhur rastësisht nga zonat më të prekura në Gjermani.

Ata kësisoj kanë zbuluar se çdo i pesti prej tyre nuk ka pasur kurrfarë simptomash të sëmundjes.