Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, tha se kanë trashëguar probleme nga e kaluara që lidhen me gjendjen e rëndë të punëtorëve.
Ajo tha se si shkak i pandemisë janë duke u përballur me gjendje jo të mirë ekonomike.
“Jemi duke u përballur me gjendjen më të rëndë ekonomike që nga paslufta. Neve na shpëton puna e punëtorëve që janë aseti kryesor, e jo kapitali i milionerëve. Mund të them se qeveria Kurti përmes pakos fiskale ka minimizuar dëmet që mund të ndodhin për punëtorët. Prandaj unë sot kam në mendje veprimtaritë që kemi mbyllu gjatë kësaj kohe si shkak i pandemisë”, tha ajo, raporton Kosovapress.
Hajdari tha se kanë marrë masa në mënyrë që të krijojnë kushte për të përmbushur nevojat e punëtorëve të cilët nuk mund të paguhen nga ndërmarrësit.
Për pakon e rimëkëmbjes, ajo tha se janë duke biseduar me bizneset, odat përkatëse dhe sindikatën e sektorit privat.
“Jemi në peces të draftimit të ligjit të punës që të përmirësohen kushtet e punës. Kemi planifikuar edhe rritjen e inspektorëve të punës që të sigurojmë respektimin e drejtave të punëtorëve”, tha ajo.
Ndërsa, zëvendësministri Edison Jakurti tha se Kosova ka papunësinë më të lartë, por as me punësim nuk zgjidhen problemet e tyre, meqë të njëjtit nuk kanë as sigurim shëndetësor e as kontrata.
“Çdo i katërti i ri punon pa kontratë, mbi 72 për qind punojnë edhe të shtunave. Kjo duhet dhe do të ndryshojë. Pa punë nuk ka kapital, por me kapital dhe me punë nuk mund të shpëtojmë nga pandemia”, u shpreh ai.
Hajdari ndër të tjera tha se sektori i ndërtimtarisë e cila planifikohen të vazhdojë me punën nga 4 maji, do të jenë të organizuar që të respektojnë masat e IKSHP-së.
“Duke përdor maska, duke mbajtur distancën. Puna nuk do të jetë si më parë. Është e domosdoshme aplikimi i masave dhe kujdesit, pastaj puna”, u shpreh ajo.
Nder të tjera, ajo theksoi se kanë trashëguar buxhet me shumë borxhe.
“Më vjen keq që nuk kemi mundur që të punësojmë 400 inspektorë siç është premtuar. Por do të shtojmë numrin e tyre, dhe inspektorati i punës do të funksionojë ashtu siç duhet”, theksoi Hajdari.