Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar të nis zbatimi i Ligjit për Paga, i cili është pezulluar nga Kushtetuesja.
Haradinaj tha se që të përmirësohen kushtet e përgjithshme të mjekëve, duhet filluar së zbatuar Ligji për Paga, ligj i cili po trajtohet ende nga Gjykata Kushtetuese.
“Mendoj se është tepër me rëndësi me fillu zbatimi i Ligjit të Pagave. Ai ligj mund të amandamentohet në të ardhmen, por duhet të fillojë së zbatuari që tani”, theksoi Haradinaj.
Këto deklarata Haradinaj i bëri gjatë vizitës sot në Spitalin Rajonal të Pejës, nga ku edhe falënderoi mjekët për punën e bërë gjatë pandemisë.
Në fillim të prillit, Gjykata Kushtetuese e pezulloi Ligjin për Paga edhe për tre muaj.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për vazhdimin e masës së pezullimit të ligjit për paga edhe për 3 muaj ka shkaktuar pakënaqësi tek dy organizatat më të mëdha sindikale, asaj të arsimit dhe të shëndetësisë.