Massimiliano Barrotta po sheh një numër në rritje të konsumatorëve që po vijnë ta shesin arin e tyre në shitoren e tij në Romë, ndërsa italianët po ndjejnë pasojat ekonomike të masave kufizuese që ndërmori qeveria për të menaxhuar pandeminë COVID-19, shkruan agjencia Reuters.
Mbyllja tetëjavore është zbutur gradualisht më 4 maj, por ekonomia është goditur rëndë, me bizneset e shumta në borxhe dhe dhjetëramijëra të papunë të rinj.
Komisioni Evropian pret që ekonomia e Italisë të tkurret për afro 10 për qind këtë vit.
“Është rritur për 50 për qind këtë vit numri i konsumatorëve që po e shesin arin e tyre në te ne, e veçanërisht në dy javët e fundit është parë një numër i madh”, ka thënë Barrotta, menaxher i tri shitoreve “Compro Oro”.
Shitoret e arit, që në Itali janë rreth 6000 sosh, sipas mbikëqyrësit të sektorit OAS, morën hov gjatë krizës së thellë të Italisë në vitin 2012, pasi njerëzit duke e pasur të vështirë të mbijetonin shisnin çdo gjë nga unazat e martesës e deri te dhëmbët e arit.
Mirëpo, këto nuk janë opsione të vetme për italianët në krizë. Shitoret ku njerëzit gjërat e tyre me vlerë apo i japin si kolateral për një hua, ndonëse janë më pak të përhapura, prapë janë një lloj dalje nga kriza.
“Unë ende jam duke paguar për shtëpinë ku jetoj me bashkëshorten time. Jeta është e shtrenjtë, hipoteka është e lartë, çfarë mund të bëjmë?” – thotë pensionisti Nazareno Bucchi, ndërsa largohet nga një shitore në qendër të Romës, ku ka lënë peng gjëra me vlerë për të marrë hua.
Mirëpo, tregu i arit nuk sillet vetëm rreth të varfërve që shesin gjërat e trashëguara në familje. I konsideruar si aset i sigurt në periudha të vështira, është rritur edhe numri i personave që kanë blerë ari, duke shtyrë në rritjen e vlerës.
Barrotta ka thënë se në dy muajt e fundit kërkesat për shufrat e arit dhe monedhat në shitoren e tij, janë rritur për 50 për qind krahasuar me vitin e kaluar, ndonëse çmimi për gram është rritur për 25 për qind që nga dhjetori.