Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kanë kërkuar nga Gjykata që të trajtojë me prioritet paditë e kompanive të naftës ndaj vendimit të Autoritetit të Konkurrencës, për gjobitjen me 4 milionë euro të 14 kompanive për shkeljen e konkurrencës në treg dhe rritjen e çmimeve të naftës.
Dy odat, në një komunikate të përbashkët, kanë kërkuar nga gjykatat që ta bëjnë prioritet rishqyrtimin e dënimeve ndaj këtyre kompanive, në kohën kur puna e gjykatave është pezulluar për shkak të pandemisë se Covid-19. Kjo, në mënyrë që ndërmarrjet të kenë mundësinë e lirimit nga akuzat, duke shmangur kësisoji dëmet potenciale materiale për këto kompani.
“Në këtë kontekst dhe duke parë lartësinë e gjobave që u janë shqiptuar ndërmarrjeve nga ana e AKK-së, e që rrezikon edhe mbijetesën e këtyre ndërmarrjeve, por edhe dëmin jomaterial që u është shkaktuar ndërmarrjeve përkatëse, trajtimi i padive në konfliktin administrativ duhet të bëhet me prioritet dhe objektivitet maksimal, duke u ofruar kështu ndërmarrjeve mundësinë e lirimit nga akuzat e pretenduara”, shkruhet në kërkesën e përbashkët.
Krahas kësaj, Oda Ekonomike e Kosovës dhe ajo Amerikane kanë kërkuar që gjobat e vëna nga AKK të përmbahen, për shkak të “të shmangies së dëmeve të mëtejme mbi ndërmarrjet për aq kohë sa gjykatat e Republikës së Kosovës nuk do të nxjerrin aktvendime të plotfuqishme”, shkruhet në komunikatë.
Autoriteti i Konkurrencës u ka shqiptuar 4 milionë euro gjobë 14 kompanive të naftës, të cilat i ka akuzuar për manipulim të çmimeve.
Pas zhvillimit procedural, Komisioni i Autoritetit, më 6 maj 2020 ka vendosur të shqiptojë masa ndëshkuese administrative në shumën prej 4 milionë euro të totalit të të hyrave për gjashtë 6-mujorin e vitit 2018 ndaj 14 kompanive nën hetim.
Sipas AKK-së të 14 kompanitë, me veprimet e tyre, kanë kryer shkelje të dispozitave të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës , përkatësisht nenit 4 për “Marrëveshje të ndaluara apo praktikë e bashkërenduar”.
Shoqata e Naftëtarëve e Kosovës ka kundërshtuar vendimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, duke paralajmëruar padi për vendimin e Autoritetit.