Rritet edhe tregu i vilave në Shqipëri, i kalojnë 1 milion eurot

Çmimet e vilave këtë vit kanë arritur deri 1,2 mln euro nga 1 mln euro që ishte vjet çmimi i vilës elitare në resortet turistike. Në këtë treg, po lulëzon rritja e kërkesës për blerjen e vilave dhe apartamenteve në ndërtesa 2-katëshe në fazë të hershme ndërtimi, me qëllim investimi, për dhënien e tyre me qira apo rishitjen për të huajt.

Çmimet në resortin turistik “San Pietro”, Gjiri i Lalëzit

Në muajin qershor 2022, pritet të mbyllet faza e parë e ndërtimeve të resortit “San Pietro” në Gjirin e Lalëzit. Faza e dytë, e cila përkon me ndërtimin e Hotelit me 5 yje “Melia”, pritet të përfundojë në muajin qershor të vitit të ardhshëm.

Znj. Ermira Brozi, Drejtoresha e Shitjeve dhe Marketingut të “Concord investment”, në cilësinë e investitorit, tha për “Monitor”, thotë se “aktualisht çmimet e shitjes për apartamentet dhe vilat në “San Pietro Resort” janë rritur me rreth 10-20%”

Reklama e sponzorizuar

“Rritja e çmimeve të vilave dhe apartamenteve është tashmë një fenomen i njohur në resortet e ndërtuara në bregdet. Ato janë struktura, të cilat garantojnë të gjitha llojet e shërbimeve, duke filluar nga supermarketet, bare, restorante, etj. Dhe kjo nuk është diçka e re, pasi ka nisur prej vitit 2018, kur ne filluam ndërtimin e ‘San Pietro Resort’ në Gjirin e Lalëzit.

Duhet nënvizuar fakti që çmimet janë rritur për shkak të materialeve të ndërtimit, dhe kjo pas fillimit të konfliktit Rusi-Ukrainë ku shumë prej tyre rezultojnë se kanë ndryshuar.

Gjithsesi, gjykoj se kjo rritje ka ardhur nga interesimi i lartë i kërkesës së klientëve për të pasur një shtëpi buzë detit, jo vetëm për pushime, por edhe për të jetuar gjatë gjithë vitit.

Punimet për ndërtimin e “San Pietro Resort” në Gjirin e Lalëzit kanë zgjatur në një periudhë kohore prej 3-4 vjetësh. Mesatarisht çdo vit çmimet e vilave dhe apartamenteve, pavarësisht fazës të ndërtimit janë rritur me 15-20%. Për këtë arsye, konstatohet se shumë individë janë më të gatshëm të blejnë në këtë fazë të ndërtimit, sesa të presin përfundimin e tyre. Kjo edhe për shkak të çmimit, relativisht më i ulët dhe në pritshmëri rritje nga viti në vit.

Konkretisht, çmimet e apartamenteve në ndërtesat trekatëshe (palacina) të këtij resorti variojnë nga 1,700 deri në 2,200 euro/m². Ndërkohë që çmimet e vilave fillojnë nga 450,000 euro (vila më e vogël) deri në 1,2 mln euro (vila elitare e cila pozicionohet në vijën e parë të Resortit)”, konfirmon znj. Brozi.

“Resorti San Pietro” në Gjirin e Lalëzit, përveç afërsisë me detin, ka një pozicion të favorshëm shumë afër Tiranës. Znj. Brozi thotë se për këto arsye, duke përfshirë edhe ofrimin e shërbimeve të dedikuara banorëve, e ka kthyer këtë zonë në një rezidencë primare për banim.

“Shumë prej klientëve tanë e kanë kthyer këtë investim në një burim të sigurt të ardhurash nëpërmjet mekanizmit të “dhënies me qira”. Duhet theksuar fakti se klientët e kësaj kategorie janë kryesisht shqiptarët e diasporës, por edhe ata italianë, suedezë, norvegjezë dhe gjermanë.

San Pietro

Çmimet e apartamenteve në ndërtesat trekatëshe (palacina) të këtij resorti variojnë nga 1,700 deri në 2,200 euro/m². Ndërkohë që çmimet e vilave fillojnë nga 450,000 euro (vila më e vogël) deri në 1,2 mln euro (vila elitare e cila pozicionohet në vijën e parë të Resortit)”

Çmimet në resortin turistik “San Nicolas”, Palasë

Pas përvojës së suksesshme në Gjirin e Lalëzit, “Concord Investment” e zgjeroi aktivitetin në industrinë “real estate” edhe me një tjetër investim, këtë herë në Palasë.

“San Nicolas Resort” ka filluar të ndërtohet vitin e kaluar (2021), dhe përbëhet nga vila dhe apartamente, këto të fundit ashtu si edhe në “San Pietro Resort”, pallate të ulëta (palacina). Punimet në këtë resort në afërsi të detit Jon, pritet të përfundojnë në muajin dhjetor 2024.

Ermira Brozi, Drejtoresha e Shitjeve dhe Marketingut të “Concord Investment”, pohon se çmimet e shitjes së vilave në “San Nicolas Resort”, variojnë nga 495,000 euro deri në 1,2 mln euro. Ndërkohë që çmimet e apartamenteve aktualisht fillojnë nga 2,500 euro/m².

Sipas znj. Brozi, këto lloj tipologjish ndërtimi nuk janë parashikuar të jenë funksionale vetëm si shtëpi pushimi, sepse kanë si qëllim të tyre kthimin e investimit nëpërmjet mekanizmave fitimprurëse të qiradhënies apo rishitjes në përfundim të punimeve. Dhe kjo për shkak të kërkesës së lartë nga pushuesit, e shoqëruar me një rritje relative të çmimeve nga viti në vit, e gjitha prej vlerës që po merr kjo zonë, tashmë si një destinacion shumë i klikuar.

“Fillimisht te çmimi, gjykoj se ndikon vendndodhja e investimit, ku një element shumë i rëndësishëm është arkitektura, të cilat e kthejnë atë padyshim në një investim të sigurt.

Një tjetër faktor që ndikon te çmimi i një prone në Rivierën Shqiptare, është ‘brandimi’ ndërkombëtar, që tashmë ka krijuar destinacioni Dhërmi. Gjykoj se kjo zonë shumë shpejt do të kthehet në një model i ngjashëm me Ibiza në Spanjë apo Mykonos në Greqi dhe kjo për shkak të çmimeve që nuk do të jenë të arritshme nga të gjithë kategoritë e klientëve”.

Kërkesa për të pasur në pronësi një vilë apo apartament në “San Nicolas Resort” – Palasë, dominohet kryesisht nga shtetasit shqiptarë. “Kjo me qëllim për të investuar, duke e rishitur më vonë këtë aset te shtetasit e huaj, kryesisht çekë, polakë, norvegjezë pse jo edhe gjermanë apo edhe italianë. Shtetasit e huaj, kryesisht, hezitojnë të investojnë në blerjen e një apartamenti apo vile, e cila është ende në fazë ndërtimi.

Kjo ndoshta edhe prej mungesës së informacionit apo të tjera elemente, të cilat duhet të mos jenë më të paqarta për këtë kategori klientësh. Ndërkohë blerësit shqiptarë nuk ngurojnë aspak të investojnë, pasi janë të bindur se pas përfundimit të punimeve, për këtë zonë çmimet e shitjes parashikohen të rriten 15-20% për çdo vit.

Kjo gjithmonë për shkak të zhvillimit të shpejtë që po ndesh aktualisht tregu i pasurive të paluajtshme kryesisht në bregdet, por edhe për shkak të kërkesës së lartë nga shtetasit të huaj. Duhet nënvizuar fakti se shtetasit e huaj më tepër njohin Sarandën dhe Jugun tonë, sesa Tiranën në Shqipëri”, thekson znj. Brozi.

Çmimet në “Kep Merli”, Ksamil

Resorti “Kep Mërli” në Ksamil me sipërfaqe 28 hektarë, për shkak të çmimeve “të kripura” të vilave luksoze, apartamenteve dhe shërbimeve, ishte po kaq i njohur edhe para vitit 2021 kur u vizitua nga këngëtarja shqiptare Dua Lipa.

Për një pjesë të ndërtimeve në këtë zonë që zotërohen nga kompania “Edil-Al”, drejtoresha e shitjeve dhe marketingut Ermira Brozi pohoi se çmimet e shitjeve të vilave në këtë zonë do të nisin nga 6,500 euro/m², kurse apartamenteve nga 4,500 euro/m². Në “Kep Merli”, çmimet e qirasë për një vilë me sipërfaqe 250 m² të banueshme janë 2,500 deri në 3,000 euro/nata.

“Ksamili më tepër frekuentohet për pushimet verore, kryesisht nga shtetas gjermanë, francezë apo amerikanë, pasi kjo zonë njihet tashmë si një markë ndërkombëtare.

“Kep Merli” ka aktualisht një referencë shumë të mirë, nisur nga frekuentimi i jetesës në këtë gjir shumë të bukur përballë Korfuzit edhe nga këngëtarja e njohur Dua Lipa, ish-Presidenti Francez Sarkozy apo familja që zotëron aksionet e “New York Journal”.

Resorti është ende në fazë zhvillimi ku brenda 2024 parashikon përfundimi i 18 vilave të ndara në 2 zona (vila marine dhe mesdhetare). Sipas zyrës së shitjeve të këtij resorti, çmimet e vilave janë 950,000 dhe 1 mln euro.

Për vilat e kategorisë A me sipërfaqe 650 m², ku 173 m² janë të banueshme, çmimi i shitjes është 1,051,050 euro. Për vilën e kategorisë B, me sipërfaqe 650 m², por sipërfaqe më të vogël të banueshme në 161 m², çmimi i shitjes është 924,000 euro. Apartamentet janë në fazën fillestare të ndërtimit dhe do të përfundojnë gjatë verës 2022. Çmimet nisin nga 2,000-2,500 m².

Këtë verë, në këtë resort edhe çmimet e qirave dhe shezlongëve parashikohen të jenë të larta. Sipas zyrës së rezervimit të resortit, çmimet e qirasë për një vilë dykatëshe me 3 dhoma gjumi, 4 banja, në qershor 2022, do të jenë 950 euro/nata, në korrik 1,050 euro dhe arrijnë pikun në muajin gusht në 1,195 euro/nata.

Për muajin shtator, çmimi i qirasë do të jetë 850 euro, për muajt tetor-nëntor 795 euro dhe në dhjetor 850 euro/nata. Çmimi për 1 çadër dhe dy shezllongëve në radhën e parë do të kushtojë 75 euro/dita, ndërsa çmimi i çadrës në rreshtin e dytë dhe të tretë do të jetë këtë verë 50 euro.