Kërkohet ristrukturimi i RTK-së

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere, Hekuran Murati pas mbledhjes së këtij komisionit ka bërë të ditur se pikë e rendit të ditës ishte miratimi i buxhetit të Trustit Pensional dhe miratimi i kërkesës buxhetore për muajin qershor për RTK-në dhe për qëndrueshmërinë afatgjate të këtij mediumi publik.

Murati tha se kanë vërejtur keqperformancë në RTK sa i përket të hyrave nëpër vite, teksa shtoi se problem mbetet edhe moskompletimi i Bordit gjë që kërkoi nga Kuvendi ta ketë ndër prioritetet e saj.

Ai tha se për të pasur një menaxhim më të mirë brenda këtij mediumi, duhet të ndodhë një ristrukturim i shpejtë.

Reklama e sponzorizuar

“Ka qenë vendim i qeverisë, edhe i Kuvendit, kur është miratuar buxheti që të ketë një shkurtim prej 20 për qind që nuk e prek pjesën e pagave, për pjesën tjetër të të hyrave, shpenzimeve operative po besoj që i takon menaxhmentit që të menaxhojë më mirë edhe shpenzimet, por edhe të rrisë të hyrat meqenëse kemi pas rënie të vazhdueshme të hyrave nëpër vite. Ka keqpërformancë sa i përket të hyrave. Por në të njëjtën kohë u shtrua problem edhe kompletimi i bordit sepse pa kompletimin e bordit është vështirë të ndërhyhet në disa shpenzime, pra edhe kjo duhet të jetë prioritet i Kuvendit në mënyrë që ta kemi një ristrukturim sa më të shpejtë dhe një menaxhim më të mirë të RTK-së”, ka thënë ai.

Murati ka thënë se në këtë mbledhje u diskutua edhe për funksionimin e Trustit Pensional të Kosovës.

Ai tha se kanë marrë zotimet nga drejtues të Trustit që deri në fund të vitit do të vazhdojnë ta ulin kryesisht taksën menaxhuese dhe të fokusohen në fonde investive.

“Sa i përket Trustit, fillimisht ata e kanë dorëzuar raportin e tyre në fillim të vitit, mirëpo kemi kërkuar me i bë disa kursime, mirëpo raporti i ri ose kërkesa e re buxhetore e tyre ka diku rreth 600 mijë euro shkurtesa. Po ashtu kemi zotimin e tyre që deri në fund të vitit do të vazhdojnë ta ulin kryesisht taksën menaxhuese, të fokusohen në fonde investive që kanë taksë menaxhuese më të lirë, duke mos e rrezikuar as diversifikimin por as përformancën e fondit”, ka thënë ai.