Ideja që Fondi për garantimin e kredive duhet të rritet nga qeveria me një fond emergjent prej 300 milionë eurove po konsiderohet e vonshme nga Ministria e Financave dhe Transfereve përderisa paralajmëron se këtë javë do të publikohet pakoja për rimëkëmbje ekonomike.
Përderisa, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti pati thënë se Fondi për garantimin e kredive duhet të rritet nga qeveri me një fond emergjent prej 300 milionë eurove, është mirëpritur edhe nga njohës të ekonomisë në vend.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu thotë për KosovaPress se grumbullimi mjeteve që janë në funksion të zhvillimit ekonomik dhe të sektorit privat që është garantues i krijimit të vendeve të reja të punës, pa dyshim se idetë e tilla janë të qëlluara.
Megjithatë, sipas tij derisa nuk ka një unifikim në skemën politike, këto ide mbetën të pa realizuara dhe vetëm për të dëshiruar, ndërsa vendet e rajonit vendet e rajonit tashmë janë duke i implementuar masat për rritjen e fondit të garantimit të kredive.
“Sa më tepër që bëjmë sot për ekonomi dhe për zhvillim ekonomik, si dhe për të sanuar pasojat e koronavirusit, është një garanci që të investohet për ardhmëri. Në këtë drejtim mbështes idetë të tilla që të kemi grumbullim të mjeteve të cilat duhet të jenë në funksion të zhvillimit ekonomik, në veçanti në funksion të mbështetjes së sektorit privat dhe ky sektor të jetë garantues I hapjes së vendeve të reja të punës, të përmirësimit të imazhit dhe të krijimit të një perspektive në Kosovë. Por, duhet të kuptohet se derisa e kemi këtë konstalacion politik, është vetëm një dëshirë”, thotë Gërxhaliu.
Eksperti i ekonomisë po kërkon nga Kuvendi dhe Qeveria që të jenë unike për të pasur rikuperim të shpejtë të ekonomisë, ndryshe sipas Gërxhaliut, nëse vazhdon ky ngërç politik, Kosova nuk do të arrijë të përfitojë asgjë nga fondet e donatorëve të premtuara për vendin tonë.
“Derisa nuk kemi gatishmëri që edhe në parlament, por edhe në qeveri të kemi një miratim gjithëpërfshirës dhe një qasje unike politike, do të jetë vetëm për të dëshiruar. Për fat të keq, janë ide të cilat vendet e rajonit janë duke i zbatuar, andaj është me rëndësi që të dilet sa më shpejt që është e mundur nga ky ngërç politik. Me këtë ngërç politik jo vetëm idetë për fondet e tilla, por edhe mbështetja nga Komisioni Evropian dhe nga donatorët do të jetë në funksion të vendeve të tjera dhe Kosova do të jetë vetëm spektator i cili do të përfitojë më së paku. Andaj, ky do të jetë dëmi më i madh me të cilin do të ballafaqohemi në të ardhmen, sepse mundësitë ekzistojnë, por falë jo stabilitetit politik jemi duke humbur edhe ide të tilla për këto fonde, por edhe mbështetja nga donatorët dhe nga Komisioni Evropian”, deklaron ai.
Zëvendësministri i Financave dhe Transfereve Ilir Aliu ka thënë shkurt për KosovaPress se këtë javë do të publikohet pakoja për rimëkëmbjen ekonomike, dhe kështu ka lënë të kuptohet që idetë e tilla janë të vonuara.
Zëvendësministri Aliu nuk ka dashur të flas më shumë lidhur me pakon masat dhe mënyrën e financimit të pakos për rimëkëmbje ekonomike.
Ndërsa, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka thënë se Fondi për garantimin e kredive duhet të rritet nga qeveria me një fond emergjent prej 300 milionë eurove që ka për synim rimëkëmbjen ekonomike në Kosovë.
Në anën tjetër i mandatuari për kryeministër Avdullah Hoti paralajmëruar se në qeverisjen e tij pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, do të krijojnë një pako për ekonomi rreth 1 miliard euro.