Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit sot u mblodh për të shqyrtuar dy kërkesa.
Artan Abrashi nga Vetëvendosje, anëtar i komisionit për legjislacion njofton se kanë shqyrtuar dy pika që janë kërkesa njëra nga kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, që ka të bëjë me mandatin e deputetit Etem Arifi dhe kërkesa e dytë ka të bëjë për interpretim të pozicionit të deputetit nga Behgjet Pacolli.
“Kur lënda përfundon me dënim… kemi theksuar qëndrimin tonë që tashmë i takon organet e rendit brenda gjykatave. Komisioni me shumicë votash nuk ka dashur ta trajtojë këtë çështje pasi vlerëson se nuk është në kompetencat e saj”, vlerësoi Abrashi, raporton KOHA.
Sa i përket kërkesës së Behgjet Pacollit, për interpretim të detyrave dhe funksionit të deputetit si dhe pengimit në kryerjen e detyrave kushtetuese, Abrashi tha se “ne nuk e kontestojmë imunitetin e deputetit por që komisioni nuk ka mandat me shqyrtuar imunitetin shëndetësor”.
“Kjo çështje nuk duhet të trajtohet nga komisioni për mandate”, tha Abrashi.
Ndërkaq, Driton Selmanaj nga LDK-ja kryetar i komisionit për legjislacion, tha se kërkesa për deputetin Arifi ishte e pabazuar dhe në kundërshtim me rregulloren nga kryetarja e kuvendit.
“Ne i dhamë një përgjigje ku i thamë që respekto ligjin e kushtetutën e vepro në bazë të tyre. Çështja e dytë kishte të bënte me shqetësimin e z.Pacolli si deputet i cili pretendonte se është penguar që ta ushtroj në mandatin e deputetit. Ne e dhamë vlerësimin tonë dhe i bëmë thirrje të gjitha institucionet që të lejojnë dhe mundësojnë ushtrimin e mandatit të deputetit”, përfundoi Selmanaj.












