Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin prill 2020.
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për (-37.6%) në muajin prill 2020, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2019, gjegjësisht në vlerë prej 161.2 milionë Euro, krahasuar me deficitin prej 258.5 milionë Euro në vitin 2019. Eksporti mbulon importin me 16.9%.
Eksporti i mallrave në muajin prill 2020 kishte vlerën 32.6 milionë Euro, ndërsa importi 193.9 milionë Euro, që është një rënie prej (-11.5%) për eksport dhe (-34.4%) për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 45.3% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.2% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 8.5% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 8.3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.6% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 5.3% e përbëjnë produktet minerale; 4.6% e përbëjnë produktet bimore; 3.3% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 13.0% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.9% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 9.9% e përbëjnë produktet minerale; 9.8% e përbëjnë produktet bimore; 7.5% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 7.0% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 3.6% e përbëjnë mjetet e transportit, etj.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 12.4 milionë Euro, ose rreth 38.2% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 1.1%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (8.9%), Britania e Madhe (5.6%), Holanda (4.0%), Suedia (4.0%), etj.
Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 95.4 milionë Euro, ose 49.2% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-38.9%). Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (10.2%), Greqia (6.7%), Italia(4.8%), Polonia (3.9%), Bullgaria (3.8%), Kroacia (3.3%), etj.
Në muajin prill 2020, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 16.2 milionë Euro, ose 49.7% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 3.9%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (34.5%), Maqedonia e Veriut (7.1%), Serbia (3.6%), dhe Mali i Zi (3.0%).
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin prill 2020, arritën në 37.6 milionë Euro, ose 19.4% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-21.0%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (7.8%), Maqedonia e Veriut (5.3%), dhe Shqipëria (3.9%).
Ndërkaq, eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 3.9 milionë Euro, ose 12.1%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: Zvicra (7.7%) dhe Turqia (1.2%).
Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 60.8 milionë Euro, ose 31.3%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (10.8%) dhe Kina (8.7%).