Kurti thotë se takimi i ardhshëm për dialog me Serbinë varet nga Brukseli

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se kalendari i takimeve të ardhshme me Serbinë varet nga Brukseli.

Kurti u shpreh se do të jetë ai që do të përfaqësojë Kosovën në dialog, pasi ka edhe një vendim të gjykatës që thotë kryeministri përfaqëson vendin në dialog.

Reklama e sponzorizuar

Kryeministri në detyrë tha se kanë përvojë dhe se do t’i mbrojnë interesat e vendit në dialog me Serbinë.

“Unë jam në kontakt të rregullt me përfaqësuesin e BE-së, Miroslav Lajçak. Ai natyrisht që është duke përgatitur fillimin e dialogut. Ne kërkojmë që ky dialog të jetë me parime dhe i përgatitur, i organizuar mirë. Jemi gati, kemi përvojë, do t’i mbrojmë interesat e shtetit tonë dhe do ta përfaqësojmë Republikën e Kosovës ashtu siç e thotë Kushtetuta, ashtu siç e thonë ligjet tona dhe ashtu siç na njeh populli i Kosovës. Pra, varet prej Brukselit kalendari i dialogut të ardhshëm dhe në bazë të Kushtetutës të Republikës së Kosovës dhe aktgjykimit nga viti i kaluar Kosovën e përfaqëson kryeministri i saj”, deklaroi Kurti pas vizitës në Therandë, transmeton kp.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak deklaroi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të fillojë së shpejti.