Vetëm edhe një ditë ka mbetur kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka thënë se do të sjellë aktgjykimin në lidhje me dekretin e presidentit, Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për pozitën e kryeministrit të Kosovës.
Kjo çështje për disa javë ka qenë një nga temat më të përfolura në Kosovë.
Gjatë kësaj kohe, ka pasur edhe përplasje fjalësh, akuza e kundërakuza ndërmjet presidenti Hashim Thaçi, dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Përplasjet mes Thaçit dhe Kurtit kanë pasur të bëjnë se kush ka të drejtë të formojë qeverinë e re pas mocionit të mocionit të mosbesimit, të votuar suksesshëm ndaj Qeverisë Kurti më 25 mars, në Kuvendin e Kosovës.
Analisti Agron Bajrami, kryeredaktor i gazetës “Koha Ditore”, tha për Radion Evropa e Lirë, se cilido që të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, dikush nga palët do të dalë i pakënaqur.
“Tani na mbetet të shohim se si do të përpiqet Gjykata Kushtetuese të gjejë rrugëdalje nga kjo situatë, mirëpo unë nuk pres që vendimi do të zgjidhë problemin esencial që ka të bëjë me një krizë politike të zgjatur e të stërzgjatur, e cila fatkeqësisht edhe përmes zgjedhjeve nuk ka arritur të zgjidhet dhe nuk shoh ndonjë mënyrë se si një vendim i Gjykatës Kushtetuese do ta mbyllë këtë krizë, tashmë disavjeçare”, tha Bajrami.
Analisti politik Imer Mushkolaj, tha për Radion Evropa e Lirë, se vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të jetë i balancuar, por nuk mund t’i kënaqë të gjitha palët.
“Kushtetuesja duhet të veprojë me integritet e profesionalizëm, pavarësisht pritjeve që i kanë partitë politike. Vendimi i gjykatës duhet të respektohet, edhe pse nuk mund të jenë të kënaqur të gjithë. Kur bëhet fjalë për vendim të balancuar të gjykatës, mund të ndodhë që dekreti për mandatarin të shpallet antikushtetues, e ndërkohe t’i caktohet afat partisë se parë për të dërguar emrin e mandatarit te ri”, tha Mushkolaj.
Gjykata mund ta shtyjë marrjen e vendimit
Thaçi pretendon se e drejta i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe partive të saj partnere, pasi që Vetëvendosje nuk i ishte përgjigjur atij në kërkesën për të prezantuar mandatarin e ri për formimin e qeverisë.
Kurse, Kurti pretendon se qeverinë mund ta formojë vetëm partia që i ka fituar zgjedhjet dhe se në rastin konkret, kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
Edhe analisti tjetër politik, Blerim Vela, tha për Radion Evropa e Lirë, se vendimi i gjykatës nuk mund t’i kënaqë të gjitha palët.
“Duke pasur parasysh pozicionin [qëndrimet] e palëve politike, është pak e vështirë që cilido aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese do t’i kënaqë palët. Në aspektin teknik ndoshta gjykata do të deklarojë se dekreti është antikushtetues për vet faktin se partia e parë shprehimisht nuk e ka refuzuar mandatin, por duhet të hapë rrugën për krijimin e një qeveri të re, pra nuk do të mbështet kërkesën kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje që është shpërndarja e kuvendit. Në këtë drejtim, do të jetë një vendim që besoj nuk do t’i kënaqë të gjitha palët, njëra palë do ta ndjejë veten fituese”, tha Vela.
Vela mendon se aktgjykimi i Gjykata Kushtetues, kurdo që do të publikohet, në një afat të shpejt nuk do ta zgjidhë krizën politike. Ai mendon po ashtu se gjykata mund të shtyjë afatin e saj për të publikuar aktvendimin.
“Gjykata në këtë rast ende nuk ka vendosur se a do te ketë seancë dëgjimore dhe ky mund të jetë një indikatorët që ndoshta edhe vendimi nuk do të shpallet brenda këtij afat i të parë, që është paraparë masën e përkohshme deri më 29 maj. Ka gjasa që ndoshta gjykatës i duhet edhe pak kohë deri sa të bëjë arsyeshmërinë e saj ligjore për vendimin që do të marrë”, tha Vela.
Pas votimit të mocionit të mosbesimit në Kuvendin e Kosovës, më 25 mars, presidenti Hashim Thaçi kishte nisur konsultimet me partitë politike për formimin e qeverisë së re.
Gjatë periudhës nga data 2 deri më 22 prill, Thaçi i kishte dërguar pesë letra kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që si lider i partisë fituese të zgjedhjeve (Lëvizjes Vetëvendosje), të propozonte mandatarin për formimin e qeverisë së re.
Marrë parasysh që Kurti i kishte kthyer atij letrat, por jo edhe emrin e kandidatit për kryeministër, Thaçi kishte ardhur deri te konkludimi se Vetëvendosje nuk e kishte shfrytëzuar të drejtën kushtetuese dhe kishte vendosur që këtë të drejtë t’ia bartë partisë së dytë, Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në këtë frymë, më 30 prill, Thaçi dekretoi kandidatin e LDK-së, Avdullah Hotin për pozitën e kryeministrit të Kosovës.
Të njëjtën ditë, Vetëvendosje dërgoi lëndën në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se Thaçi kishte shkelur Kushtetutën.
Një ditë më vonë, më 1 maj, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi masë të përkohshme, duke pezulluar deri në një vendim të plotë dekretin e presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin nga LDK, për kryeministër.
A do të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese?
Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se do ta respektojë në tërësi vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, kjo parti ka thënë se është e vendosur në përputhshmëri të plotë me normën kushtetuese, të krijojë qeverinë e re.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deri tani nuk është përgjigjur direkt në atë se a do ta respektojë vendimi e gjykatës, por është deklaruar se pret nga Gjykata Kushtetuese që të bëjë interpretimin e Kushtetutës dhe jo, siç ka thënë ai, shkrimin e saj.
Gjykata Kushtetuese gjatë këtyre ditëve është përballur edhe me presione nga politika, për të cilën gjë edhe ka reaguar.
Gjykata ka dënuar ashpër, atë që e ka konsideruar ndërhyrje në pavarësinë e saj, teksa ka përmendur se po ndjek me shqetësim “diskursin politik kërcënues që po zhvillohet ditëve të fundit nga presidenti dhe kryeministri në detyrë, si dhe bartës të tjerë të funksioneve institucionale dhe politike”.
“Gjykata Kushtetuese dënon po aq ashpër edhe përfoljen e gjyqtarëve individualë, si persona që kanë autorizime apo përgjegjësi vendimmarrëse individuale në këtë çështje”, është thënë në reagimin e kësaj gjykate.
Gjykata Kushtetuese nuk besohet se do të sjellë ndonjë vlerësim apo zgjidhje që nuk janë të shkruara apo parapara në Kushtetutë, ngase kjo do të nënkuptonte rishkrimin e Kushtetutës.
Pritja apo opsioni i parë, është që Kushtetuesja të japë vetëm interpretimin kushtetues se si përcaktohet identifikimi i mandatarit duke identifikuar partinë fituese dhe rastin si veprohet pas mocionit të mosbesimit.
Një interpretim i ngjashëm, ishte dhënë edhe në vitin 2014, mbi bazën e të cilit ishte përcaktuar se kush mund të formojë qeverinë (të paktën në rrethin e parë) dhe cila konsiderohet partia apo koalicioni fitues i zgjedhjeve, që çdo herë vjen në shprehje së pari kur është në pyetje formimi i qeverisë, pavarësisht nëse ndërkohë është formuar një shumicë e re parlamentare.