Lajçak: Duhet marrëveshje që e qetëson situatën, shkëmbimi i territoreve s’është në agjendë

Sipas përfaqësuesit të ri special të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, kriza e koronavirusit ka dëshmuar se BE-ja duhet të jetë më e shpejtë dhe më e dukshme në Ballkanin Perëndimor. Në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, BE-ja duhet të shkojë “dorë për dore” me Shtetet e Bashkuara, tha ai në një intervistë për agjencinë e lajmeve “APA”. I shumëpërfoluri shkëmbim i territoreve mes dy vendeve nuk është në agjendë, sipas Lajçakut.

“Kemi parë një reagim shumë të fuqishëm negativ ndaj idesë për shkëmbimin e territoreve – në Kosovë, në vendet e tjera në rajon dhe në vendet e BE-së. Kjo më dërgon te përfundimi se ajo nuk është në agjendë dhe as nuk duhet të jetë në agjendë”, theksoi Lajçak. Shefi i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, nuk e kishte përjashtuar plotësisht mundësinë e shkëmbimit të territoreve më herët gjatë kësaj jave. Ai tha për mediet kosovare se marrëveshja dhe përmbajtja e saj janë përgjegjësi e dy vendeve dhe se BE-ja nuk mund të përcaktojë asgjë. Borrell ka theksuar se BE-ja është duke e synuar një marrëveshje ligjërisht të zbatueshme, tha Lajçak.

Na duhet një marrëveshje që e qetëson situatën”, tha përfaqësuesi special i BE-së dhe ish-ministri i jashtëm sllovak. Reagimet ndaj idesë së një shkëmbimi të territoreve do të dëshmonin shumë qartë se kjo do ta sillte saktësisht të kundërtën, shtoi ai.

Reklama e sponzorizuar

Lajçak nuk dëshiroi të komentonte për një marrëveshje sekrete të përfolur rreth shkëmbimit të pjesëve të shteteve mes presidentit kosovar, Hashim Thaçi, dhe atij serb, Aleksander Vuçiq, për të cilën raportohet se po bën fushatë ShBA-ja: “Unë nuk jam duke punuar në bazë të thashethemeve”, tha ai. Sidoqoftë, ai tha se nuk ka parë një plan të tillë.

Lajçak gjithashtu refuzoi të komentonte për atë se Shtetet e Bashkuara, përmes të dërguarit special, Richard Grenell, janë të përfshira në rënien e qeverisë së majtë të Albin Kurtit, siç pretendoi së voni Kurti. Gjëja e vetme e rëndësishme është një qeveri stabile që gëzon përkrahje të gjerë nga kuvendi dhe nga populli.

ShBA-ja gjithmonë ka qenë partnerja më e rëndësishme ndërkombëtare e BE-së në Kosovë, tha Lajçak. Ju jeni të fuqishëm në tërë rajonin, nëse shkoni dorë për dore. Sa i përket rolit të aktorëve të tjerë globalë në Ballkanin Perëndimor – përpos Shteteve të Bashkuara, Kinës apo Rusisë – ai është i bindur se askush nuk mund ta ofrojë atë që e ofron BE-ja: për të qenë pjesë e tërë rajonit të Evropës, organizatës më të suksesshme të shteteve në botë, për më tepër, më të pasurës. “Në vend se të brengoset për ndikimin e të tjerëve, BE-ja duhet ta bëjë praninë e vet më të dukshme dhe më të besueshme”, theksoi Lajçak.

Diplomati i lartë pranoi se BE-ja nuk ka qenë gjithmonë aktorja më e shpejtë sa u përket zotimeve të ngadalshme për ndihma në krizën e koronavirusit. Por Brukseli është partneri më i besueshëm dhe më i qëndrueshëm. Në të ardhmen duhet të jetë “më i shpejtë dhe më i dukshëm dhe ta komunikojë këtë më shpejt”.

Lajçak e sheh rolin e BE-së dhe rolin e vet personal në konfliktin Kosovë-Serbi kryesisht si ndërmjetës. Ai nuk e sheh si pengesë faktin se vjen nga një shtet që nuk e ka njohur Kosovën. Është më tepër një “mundësi”, për më tepër, roli i tij nuk e përfaqëson Sllovakinë, por tërë BE-në.

Në mënyrë që të mbetet një aktor i besueshëm, Bashkimi Evropian duhet të vendosë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës sa më shpejt që është e mundshme. Lajçak nuk dëshiroi të përgjigjej në pyetjen se cilat shtete tash për tash nuk po e ofrojnë këtë. Ai tani për tani është në bisedime me të gjitha vendet anëtare dhe është “absolutisht optimist” se së shpejti do të arrihet një marrëveshje, siguroi përfaqësuesi special i BE-së. Në të kaluarën, Franca dhe Gjermania në veçanti i kishin rezistuar kësaj thirrjeje.

Kur u pyet për rezultatin që ai do të donte ta shihte në fund të mandatit të vet, Lajçak u përgjigj: “Në njërën anë, është e lehtë të thuhet, por në anën tjetër, është shumë e vështirë të arrihet.” Qëllimi është që të ketë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme mes dy palëve, e cila i qartëson të gjitha çështjet e pazgjidhura, që është në pajtueshmëri me ligjin ndërkombëtar dhe në të gjitha anët – me politikën dhe popujt e të dyja vendeve, me rajonin, por gjitashtu edhe me të gjitha vendet anëtare të BE-së, një marrëveshje që është e pranuar dhe e njohur. Nuk ka arsye për ta shtyrë procesin, por në fund, cilësia është më e rëndësishme se një marrëveshje e shpejtë.