Presidenti Hashim Thaçi do të përballet me drejtësinë, ka paralajmëruar Lëvizja Vetëvendosje (LVV) të premten, pas akuzave publike për cenim jetësh e shtytje në vetëvrasje që kreu i shtetit i ka bërë kundër kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe ministrave Arben Vitia e Xhelal Sveçla, e të cilët janë zyrtarë të kësaj partie. Akuzat, sipas LVV-së, nxisin përçarje e mosdurim.
Në një konferencë shtypi, kreu i shtetit ka akuzuar Kurtin, Vitinë e Sveçlën se ia kanë rrezikuar jetën deputetit Behgjet Pacolli gjatë mësymjes së tij për të ardhur me aeroplan nga Zvicra në Kosovë. Veç kësaj, të tre i ka akuzuar edhe për shtytje në vetëvrasje të të riut nga Gjilani që është hedhur nga konviktet gjatë qëndrimit në karantinë, shkruan KOHA.
“Unë mendoj që grupi i Kurtit, Sveçlës dhe Vitisë duhet të sqarojë çështjen e rrezikut të jetës për z. Pacolli që i kanosej gjatë fluturimit të tij për në Prishtinë dhe pse ka devijuar z. Pacolli në drejtim të Tiranës, sikur që ka përgjegjësi morale, politike dhe ligjore të japin grupi Kurti dhe Vitia, gjithashtu edhe Sveçla për shtytjen në vetëvrasje të studentit nga konviktet në Prishtinë”, ka thënë Thaçi. “Në këtë drejtim, mendoj se ata duhet të përgjigjen sa më shpejt, aq më mirë”.
LVV-ja i ka reaguar menjëherë kreut të shtetit.
Nëpërmjet një komunikatë shtypi, kjo parti ka theksuar se Presidenti ka thënë një mori të pavërtetash dhe ka nxitur sërish përçarje. Të pavërtetat e formuluara kësisoj, sipas LVV-së, janë të qëllimshme e të papranueshme.