Një ditë para skadimit të afatit për dorëzimin e komenteve përkitazi me meritat e kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) rreth mandatarit, në Gjykatën Kushtetuese nuk i ka përcjellë komentet as kjo parti, por as dy prej subjekteve kryesore politike në kontest – Lidhja Demokratike (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Megjithëkëtë, komentet pritet t’i deponojnë të premten.
Informata është konfirmuar nga zyrtarë të këtyre subjekteve politike, por të cilët nuk kanë ofruar më shumë informacione në lidhje me këtë, shkruan KOHA.
Të enjten e javës së shkuar, Kushtetuesja e ka pranuar një kërkesë të parashtruar nga 30 deputetë të Grupit Parlamentar të LVV-së, përmes së cilës kanë kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Dekretit, që paraprakisht atë ditë e kishte firmosur kreu i shtetit, e me të cilin Avdullah Hoti i LDK-së është caktuar mandatar për formimin e qeverisë së re. Përveç kësaj, në kërkesën e parashtruar, deputetët kishin kërkuar nga Gjykata edhe vendosjen e masës së përkohshme për pezullim të zbatimit të Dekretit.
Një ditë më vonë, Kushtetuesja ka kumtuar se, me shumicë votash, ka vendosur të miratojë masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 29 maj, dhe që të pezullojë menjëherë zbatimin e Dekretit të firmosur një ditë më parë nga presidenti.