OKB bën apel rekord për fonde kundër koronavirusit

Kombet e Bashkuara bënë apel për 10.3 miliardë dollarë për të ndihmuar luftimin e pandemisë së koronavirusit.

Thirrja bëhet për fondin më të madh ndonjëherë.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tyre, deri në 265 milionë njerëz mund të përballen me urinë deri në fund të vitit, për shkak të ndikimit të sëmundjes që e shkakton koronavirusi, COVID-19.

Paratë do të shfrytëzoheshin për vende me të ardhura të ulëta dhe të brishta.

Kombet e Bashkuara paralajmëruan se dështimi për të vepruar mund t’i zhbëjë dekadat e zhvillimit.

Në apelin e parë për koronavirusin, në muajin mars, ato kanë bërë thirrje për dy miliardë dollarë.

Apeli i rishikuar është rekord, por, sipas OKB-së, vendet e pasura duhet t’i ndihmojnë të varfrat.

Nëse jo, bota përballet me një seri krizash, përfshirë miliona njerëz të uritur, paralajmëroi OKB-ja.

Pandemia e koronavirusit ka bërë që në shumë vende të zvogëlohet prodhimi dhe të bie ekonomia, për shkak të masave të detyrueshme të izolimit.

COVID-19 ka prekur mbi 13.8 milionë njerëz në gjithë botën.

Prej tyre, mbi 589,000 kanë vdekur dhe mbi 7.7 milionë janë shëruar.