Mali i Zi lejon hyrjen për banorët e Kosovës, por jo edhe për ata të Serbisë

Fotografi ilustruese

Qytetarët e Kosovës prej 1 qershorit mund të hyjnë në territorin e Malit të Zi.

Këtë e ka bërë të ditur të enjten mbrëma përmes një postimi Trupi Koordinues Nacional i Malit të Zi, që ka vendosur me propozim të Institutit për Shëndet Publik të Malit të Zi.

Mali i Zi lejon hyrjen në territorin e këtij vendi, pa karantinë dhe vetëizolim, të banorëve të vendeve që kanë më pak se 25 të infektuar për 100 mijë banorë.

Reklama e sponzorizuar

Lista do të vlerësohet çdo javë, ndërsa në të aktualisht janë Sllovenia, Islanda, Kroacia, Sllovakia, Shqipëria, Austria, Norvegjia, Monako, Kosova, Gjermania, Greqia, Hungaria, Danimarka, Lituania, Letonia, Azerbajxhani, Luksemburgu, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Izraeli, Maqedonia e Veriut, Irlanda, Çekia, Finlanda dhe Estonia.

“Mali i Zi nuk mbyll kufijtë. Përkundrazi. Kufijë tanë po i hapim dhe atë në përputhje me sugjerimet e profesionistëve, për shumë vende, për të mirën e qytetarëve dhe të turistëve që do të na vizitojnë këtë verë”, ka thënë Milutin Simoviq, kryetar i Trupit Koordinues.

Në listë nuk është Serbia, ndërsa mbajtja mbyllur e kufijve të Malit të Zi për qytetarët e Serbisë ka ngjallë reagime të shumta në Serbi në ditët e fundit. Në Serbi kanë thënë se mbyllja e kufijve nuk bëhet për shkak të koronavirusit. Më herët ishte paralajmëruar se kufijtë e Malit të Zi nuk hapen për Serbinë, që nuk plotëson kriterin sa i takon përqindjes së të infektuarve.