Palmer: SHBA-ja është e përqendruar të mbështesë dialogun që po e udhëheq Brukseli

Zëvendësi i ndihmësit të Sekretarit dhe përfaqësuesi special i Departamentit të Shtetit, Matthew Palmer, ka thënë se “SHBA-ja është e përqendruar të mbështesë procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që po e udhëheq Brukseli”, shkruan Zëri i Amerikës në gjuhën serbe.

Diplomati amerikan ka thënë se në formën ideale, marrëveshja do të duhej të finalizohej me njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Reklama e sponzorizuar

“Fjalët për ndërrim territoresh, tërheqin vëmendjen nga synimi kyq: që Serbia e Kosova dhe qeveritë e tyre të punojnë në gjetjen e rrugës për normalizim të marrëdhënieve. Ne e mbështesim këtë proces dhe për këtë mendoj se është jorelevante dhe e pengojnë procesin debatet për ndërrim territoresh”, ka thënë Palmer.

Palmer thotë se është i lumtur që procesi i dialogut ka rifilluar me ndërmjetësimin e BE-së dhe përfaqësuesit të saj, Miroslav Lajçak, të cilin diplomati amerikan e ka quajtur mik dhe bashkëpunëtor.

“Më vjen mirë që ky proces ka rifilluar. Tash vonë kam pritur këtu në Uashington Skender Hysenin, përfaqësuesin e Kosovës në këtë proces. Shumë punë është para tyre. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse do të ‘resetonte’ rajonin dhe do të trimëronte shtetet e Ballkanit Perëndimor që janë në rrugë për t’u bërë shtete anëtare te Bashkimit Evropian”, ka thënë Palmer.