Ministrja e Arsimit nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili në mbledhjen e Qeverisë tha se mocioni i mosbesimit ndaj tij u bë nga regjimi i kaluar.
Ajo tha se “për ne si ministra të LDK-së, kjo periudhë pas mocionit ka qenë jashtëzakonisht e vështirë”.
“Në momentin që ka rënë qeveria, ne kemi kërkuar nga partia të na lirojë nga pozitat, por nga kryetari (Isa Mustafa) na është kërkuar qenë kohë pandemie të mos i lirojmë këto pozita. Kërkoj mirëkuptimin e juaj pasi ne si ministra i takojmë një regjimi të kaluar dhe sipas jush jemi të pakorruptuar, por i takojmë këtij regjimi të korruptuar”, iu përgjigj Bajrami Kurtit.
Ndërsa duke folur për punën e ministrisë që drejton, Bajrami ka thënë se arsimi në Kosovë nuk është në gjendje të mirë. Ajo ka thënë se e kanë gjetur ministrinë jofunksionale si trashëgimi e qeverisë së kaluar.
Bajrami më tutje ka thënë se për 1 muaj kanë arritur të xhirojnë 1 800 njësi mësimore për mësimin në distancë, po ashtu xhirimet janë duke vazhduar në Prizren në gjuhën turke dhe boshnjake.
“Mësimi në distancë ishte mjaft sfidues”, tha ajo.