Kina të hënën i akuzoi Shtetet e Bashkuara se po abuzojnë me taksat dhe i paralajmëroi shtetet e tjera kundër nënshkrimit të marrëveshjeve më të gjera tregtare me Uashingtonin në kurriz të saj, duke e ashpërsuar retorikën në kohën e një lufte tregtare që po eskalon mes dy ekonomive më të mëdha në botë.
Pekini do ta kundërshtojë në mënyrë të vendosur nënshkrimin e një marrëveshjeje nga cilado palë në dëm të saj dhe “do të ndërmarrë kundërmasa në mënyrë të vendosur dhe reciproke”, tha Ministria e Tregtisë e Kinës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Kjo ministri reagoi pas një raporti të mediumit “Bloomberg”, në të cilin u cituan burime të afërta me çështjen dhe ku thuhet se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, është duke u përgatitur që t’u bëjë trysni shteteve që synojnë zvogëlim të taksave ose përjashtim nga to që ta pakësojnë tregtinë me Kinën, përfshirë vendosjen e sanksioneve monetare ndaj atyre vendeve që refuzojnë të bëjnë një gjë të tillë.
Presidenti amerikan i pezulloi taksat e gjera që i kishte shpallur ndaj dhjetëra shteteve më 2 prill, me përjashtim të atyre kundër Kinës, duke e veçuar ekonominë e dytë më të madhe në botë për barrën më të rëndë të masave tregtare.
Në një varg veprimesh, Uashingtoni i ka çuar në 145 për qind taksat ndaj importeve kineze, duke e nxitur Pekinin që të vendosë tarifa hakmarrëse prej 125 për qind ndaj mallrave amerikane. Javën e kaluar, Kina sinjalizoi se nuk do t’i rrisë më tej taksat.
“Shtetet e Bashkuara kanë abuzuar me taksa ndaj të gjithë partnerëve tregtarë nën sloganin e të ashtuquajturës “barasvlerë”, ndërkohë gjithashtu duke i detyruar të gjitha palët që të nisin të ashtuquajtura bisedime “për taksa reciproke” me to” – tha zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë të Kinës.
Më tej, kjo ministri tha se Kina është e vendosur dhe e aftë për t’i mbrojtur të drejtat dhe interesat e saj dhe e gatshme për ta fuqizuar solidaritetin me të gjitha palët. /Nacionale/