Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, thotë se askush nuk mund t’i ndryshojë kufijtë e Kosovë, “në qoftë se ne i besojmë vetëvetes për të mos i ndryshuar”.
“Kjo është në dorën dhe në përgjegjësinë tonë”, shkroi Mustafa në Facebook.
Mustafa thotë:
“Nuk është Grenelli as Borrelli e as Lajçaku ata që ndryshojnë kufij dhe shkëmbejnë territore. Prandaj është e padenjë që mosguximin tonë për t’iu përveshur dialogut ta arsyetojmë me rrezikun e “kasapimit” të Kosovës. Duhet të besojmë në SHBA-të dhe në BE dhe të besojmë në Kosovën. Kjo është e vetmja qasje për dialogun”, shkruan tutje kreu i LDK-së.
Mustafa, thotë se “popullizmi dhe lufta e shtrigave nuk na çon askund”.
“Vetëm vendet komuniste kanë mbijetuar deri në fundin e tyre, duke prodhuar kundërshtarë dhe armiq. Kur iu kanë sosur kundërshtarët, janë sosur edhe ato vet. Kosova e ka shpallur pavarësinë në këtë territor dhe në këta kufij; kështu thotë edhe Deklarata e Pavarësisë. Prandaj s’kemi arsye ta hapim këtë temë, sepse e hapim temën e pavarësisë së shtetit tonë, që është mbyllur me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Por, po ashtu, nuk kemi arsye të frikësohemi nga dialogu. Duhet të dialogojmë që, në këta kufij dhe me këtë territor që e kemi, të na njoh Serbia, të anëtarësohemi në OKB, të na njohin edhe pesë vende të BE-së dhe të anëtarësohemi në NATO”, shkruan tutje Isa Mustafa në Facebook.
“Ky është interes i shtetit tonë i drejtpërdrejtë; është edhe interes i ndërmjetësuesit nga SHBA dhe atyre nga BE, sepse me këtë sigurohet stabiliteti në këtë pjesë të botës dhe hapet perspektivë e re e zhvillimit ekonomik”, përfundoi ai.
Ky reagim erdhi pasi para pak ditësh Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, u deklarua se nuk është kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës, dhe kjo ngjalli debate në Kosovë.
Edhe emërimi i Lajçakut është pritur me skepticizëm në Kosovë. Thaçi më herët kishte thënë se “misioni i tij është krijuar të dështojë për shkak të angazhimit të tij për të ndaluar Sllovakinë që ta njohë Kosovën”.