Kompania Rajonale e Ujësjellësit, Prishtina sh.a, ka bërë të ditur se ka filluar rritja e kërkesës për ujë të pijshëm.
Nga kjo kompani kanë kërkuar që të bëhet shpenzimi racional i ujit të pijshëm.
“Shpenzimi racional i ujit të pijshëm në këtë periudhë është i domosdoshëm. Uji sot nuk duhet të shfrytëzohet në mënyrë të pakontrolluar, me ç’rast mund t’i zvogëlojmë rezervat e ujit të pijshëm”, është thënë nga kjo kompani.
Njoftimi i plotë:
Të dashur qytetarë/ konsumatorë të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit,, Prishtina,, sh.a., ju njoftojmë se niveli i ujit në liqenet akumuluese Batllava e Badoci është i kënaqshëm. Liqeni i Batllavës (0,43 m) nën nivelin maksimal të kapërderdhjes, ndërsa liqeni i Badocit (2.55 m) nën nivelin e kapërderdhjes.
Ne kemi edhe plane konkrete për menaxhimin e thatësirës dhe në varshmëri të niveleve parashikohen edhe hapat që duhet te merren për menaxhimin e situatave në akumulacione dhe burime nëntokësore në vitet me thatësira që vijnë si rezultat i ndryshimeve klimatike në tokë.
Vendet, sidomos ato të botës në zhvillim dhe rajone të tjera që tashmë janë duke vuajtur nga mungesa e ujit, ka gjasa të mbajnë peshën e thatësirës dërrmuese ne dekadën që po hyjmë. Pra, theksojmë edhe njëherë se, është shumë me rëndësi që të gjithë së bashku ta menaxhojmë përdorimin e ujit të pijshëm dhe të raportojmë me kohë rrjedhjet e ujit dhe keqpërdorimet .
Jemi duke hyrë në sezonin e verës dhe menjëherë ka filluar rritja e kërkesës për ujë të pijshëm në zonën e shërbimit edhe pse, furnizimi me ujë të pijshëm është stabil dhe 24 h pa ndërprerë.
Konsumatorë të nderuar,
Shpenzimi racional i ujit të pijshëm në këtë periudhë është i domosdoshëm.
Uji sot nuk duhet të shfrytëzohet në mënyrë të pakontrolluar, me ç’rast mund t’i zvogëlojmë rezervat e ujit të pijshëm!
Roli i ujit është thelbësor për qeniet e gjalla dhe planetin, ai na nevojitet për pije, shtëpi dhe kopshte, por me rëndësi është ta kuptojmë domethënien e përdorimit jo të drejtpërdrejt të ujit si për prodhim, furnizim dhe zhvillim.
Cfarë mund të bëjë secili prej nesh, për të ndaluar keqpërdorimin e ujit: –
– Mos lejoni të rrjedhë ujë kot nga rubineti juaj,
– Mos përdorni ujin e pijshëm për të larë veturat,
– Mos përdorni ujin e pijshëm për ndërtime të shumta në qytet,
– Mos pastroni trotuaret me ujin e pijshëm,
– Mos harroni t’i mbyllni çezmat tuaja, pasi lani dhëmbët e fytyrën,
– Mos ujisni lulet, kopshtet dhe arat,
– Paguani rregullisht ujin që konsumoni,
– Mos lejoni ndërhyrjet pa leje në rrjetin e ujësjellësit,
Të gjithë jemi përdorues të ujit, prandaj ne jemi edhe përgjegjës për ta shfrytëzuar atë në mënyrë të drejtë.