Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se nuk ka arsye që të merret masë e parakohshme ndaj dekretit të presidentit Hashim Thaçi.
Ai ka thënë se të gjitha arsyet e VV-së që janë parashtruar në kërkesë janë paragjykime.
“Në asnjë rast nuk ka arsye që të merret masë e parakohshme ndaj dekretit të Thaçit sepse konsiderohet që të gjitha arsyet që janë dhënë në kërkesën e VV-së janë paragjykime dhe të pabazuara”, ka thënë ai.
Mustafa tutje ka thënë se do të presin për vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkaq duke folur për koalicionin me AKR-në, ai ka thënë se marrëveshja me ta nuk ka përfunduar, por se janë marrë vesh paraprakisht që AKR të jetë pjesë e koalicionit Qeverisës.
Lëvizja Vetëvendosje ishte ankuar dje pasi presidenti Thaçi dekretoi Avdullah Hotin e LDK-së për kryeministër. KOHA ka mësuar se një vendim për pezullimin e dekretit pritet rreth orës 17:00 sot. Për të shtunën, LDK-ja ka kërkuar seancë për votimin e Qeverisë.