Drejtues të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës edhe sot janë shprehur kundër vendimit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për shqiptimin e masave ndëshkuese administrative ndaj 14 kompanive të derivateve të naftës.
Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, në një konferencë për media shprehi shqetësimin ndaj Autoritetit të Konkurrencës, për vendimin e marrë ndaj naftëtarëve, sipas të cilit marrëveshje ndërmjet këtyre bizneseve nuk ka ndodhur as një herë apo çmim kartel.
“Vendimin e lëshuar nga Autoriteti i Konkurrencës, ne si shoqatë e kundërshtojmë fuqishëm, sepse vendimi ndaj 14 kompanive ne e cilësojmë si vendim arbitrar”, theksoi Berjani.
Edhe përfaqësues nga kompanitë ndaj të cilave janë shqiptuar masat ndëshkuese kanë kundërshtuar dënimin prej 4 milionë eurove.
Tahir Zogaj nga Shell- Al Petrol duke kundërshtuar dënimin, tha se nuk ka pasur kurrë farë marrëveshje të fshehtë dhe Autoriteti Konkurrecës ka bërë një shkelje të rëndë.
“Pa as një fakt na kanë dënuar. Nuk kemi pasur asnjë marrëveshje as që do të kemi”, theksoi ai.
Ndërsa, Arianit Koci avokat i kompanisë Hib Petrol deklaroi se vendimi i AKK është pa asnjë vlerë juridike.
“Ky dënim nuk është i plotfuqishëm. Sa i përket fitimit 128 përqind, është jo i qëndrueshëm. Ne do të kërkojmë mbrojtje ligjore, jam i bindur se në Gjykatë do ta mposhtim vendimin e Autoritetit të Konkurrencës”, theksoi ai.
Edhe përfaqësues të tjerë të kompanive që janë gjobitur nga AKK-ja kanë kundërshtuar vendimin në fjalë.
Avokati Koci në fund tha se vendimin e kanë kundërshtuar edhe Oda Ekonomike Amerikane dhe Oda Ekonomike e Kosovës dhe për këtë ai deklaroi se do t’i drejtohet edhe Kuvendit të Kosovës.